Adem XHELADINI
Kërçovë, 27 janar – Selinë e Komunës së Kërçovës, gjatë të premtes e ka vizituar ambasadori i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, shkruan gazeta KOHA. Në kuadër të kësaj vizite, ambasadori evropian është pritur nga kreu i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, i cili mysafirin e lartë e njoftoi me të arriturat dhe sfidat që Komuna e Kërçovës, ka kaluar përgjatë katër viteve. Pas takimit kokë më kokë mes ambasadorit Zhbogar dhe kreut të Kërçovës, Fatmir Dehari, ata për media deklaruan se ishte ky një takim i frytshëm ku kreu i Kërçovës Fatmir Dehari deklaroi se “ambasadorin Zhbogar e njoftova me sfidat, përpjekjet dhe të arriturat që Komuna e Kërçovës ka përshkuar gjatë këtij katërvjeçari dhe këmbyem mendime lidhur me projektin e ndërtimit të Stacionit për filtrimin e ujërave të zeza dhe që është duke u ndërtuar në Kërçovës dhe që është njëri ndër projektet më të mëdha që Bashkimi evropian ka ndërmarrë për të ndihmuar qytetarët e Kërçovës, për të pasur një ambient më të pastër dhe jetë më cilësore. Siç dihet tanimë, faza e parë e projektit është duke përfunduar, ndërkohë do të fillojnë edhe punimet e fazës së dytë të këtij projekti dhe që do të përfshijë rregullimin e rrjetit sekondar të qytetit dhe zëvendësimi i gypave, si dhe ngritja dhe rregullimi i rrjetit të kanalizimit në vendbanimet e ish komunës së Zajazit, përmes fondeve që Bashkimi Evropian i destinon përmes IPA fondeve. Njëkohësisht, me ambasadorin këmbyem edhe mendime mbi refleksionin e situatës aktuale politike në Maqedoni, dhe ramë dakord që është e nevojshme që sa më parë të formohet qeveria, me çka do të vazhdojë implementimi i projekteve të nisura, dhe se Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndihmojë në projekte konkrete dhe që kanë të bëjnë me mirëqenien e qytetarëve” ka theksuar kreu i Kërçovës Fatmir Dehari. Në prononcimin e tij për media, ambasadori i Bashkimit Evropian theksoi se “jam këtu për të parë nga afër punimet në njërin nga projektet më grandioze që Bashkimi Evropian ka ndërmarrë dhe ai është Stacioni i filtrimit të ujërave të zeza, me çka do të krijojmë parakushte për një jetë më cilësore dhe më të shëndetshme të banorëve të Kërçovës, dhe se Kërçovën e kemi përzgjedhur për të nisur promovimin e fushatës, e cila do të përfshijë ndihma konkrete në projekte dhe që ne e kemi pagëzuar “Evropa me Ty”. Natyrisht me kryetarin e Komunës diskutuam edhe për çështje që kanë të bëjnë me rrjedhat e përgjithshme dhe me gjendjen aktuale, ku bashkërisht vlerësuam se formimi i një qeverie do të sjellë përshpejtimin e ritmit të realizimit të projekteve, që ne si Bashkim Evropian jemi duke i ndërmarrë për të rritur nivelin e mirëqenies së qytetarëve të shtetit tuaj”, ka thënë mes tjerash ambasadori i Bashkimit Evropian Samuel Zhbogar. Më pas, ambasadori Zhbogar dhe kreu i Kërçovës Dehari kanë ndjekur punimet që po zhvillohen në ndërtimin e Stacionit të filtrimit të ujërave të zeza. Siç dihet në kuadër të IPA 1 që nga prilli i vitit 2016 në Kërçovë ka filluar ndërtimi i Centralit për trajtimin e ujërave të zeza për plotësimin e nevojave për 32 000 banorët e qytetit të Kërçovës si dhe ndërtimi i një kolektori kryesor në gjatësi prej 4 kilometrash. Realizues i punimeve është WTE Wassertechnik GmbH nga Gjermania dhe vlera e projektit kap përafërsisht 6.9 milionë euro. Megjithatë, ky projekt nuk ndërpret këtu, pasi në kuadër të IPA 2 është parashikuar një investim total prej 15.6 milionë euro dhe kjo do të përfshijë rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimit në Komunën e Kërçovës dhe një shtesë për trajtimin e ujërave të zeza, që aktualisht po ndërtohet , që t’i plotësojë nevojat edhe për 1600 banorë të tjerë
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara