Shkup, 29 mars – Shefi i diplomacisë gjermane Zigmar Gabriel për të dytën herë me radhë brenda një muaji i ka rekomanduar presidentit Gjorgje Ivanov dhe VMRO-DPMNE-së që të mundësojnë formimin e Qeverisë së re dhe me këtë t’i japin fund krizës. “Konsideroj se është e nevojshme edhe njëherë të kërkohet nga Presidenti i Maqedonisë dhe nga partitë parlamentare, që tani të mundësojnë formimin e qeverisë dhe t’i venë fund bllokadës. Ekziston shumicë në Kuvend e cila u formua pas zgjedhjeve dhe mbi bazat e rezultatit zgjedhor. Shkalla e pasigurisë e cila dominon momentalisht është e madhe dhe e rrezikshme për të zgjuar emocionet e vjetra me rreziqe të mëdha”, ka thënë Gabriel. Ministri i jashtëm gjerman, Gabriel një koment të tillë e bëri pas takimit të mbrëmshëm me homologun e tij spanjoll Alfonso Dastis, i cili gjithashtu ka shprehur shqetësimin e tij për gjendjen në Ballkanit Perëndimor e në veçanti për Maqedoninë.