Vitin që lamë pas ishte një vit turbulent në aspektin politik, si dhe të punës, ambientit, por edhe rezultateve të pushtetit ekzekutiv apo Qeverisë me më shumë ministri, drejtori apo agjenci të ndryshme, pushteti ligjvënës apo Parlamentit, si dhe pushtetit gjyqësor apo gjykatave të ndryshme. Nëse i referohemi vetëm punës së Qeverisë, atëherë mund të dallojmë pesë gjërat me të cilat opinioni nuk mundet dhe nuk është i kënaqur, por edhe pesë gjërat që meritojnë lëvdata për punën dhe rezultatet e arritura
Nga Fisnik PASHOLLI
Shkup, 2 janar – Si rëndom, në fund të vitit, në fusha të ndryshme bëhet përmbledhja e ngjarjeve që kanë shënuar 12 muajt e kaluar, apo që kanë spikatur si aspekt pozitiv, ashtu edhe atë negativ. Jeta, thonë filozofët, nuk duhet shikuar asnjëherë vetëm në prizmin bardhë e zi, por në spektrin e saj të shumëllojshëm, me shumë ngjyra ku dallohen edhe ndodhi që na kanë gëzuar si qytetarë, por edhe gjëra që na kanë hidhëruar apo nga nxjerrë nga takti.
Thonë se optimistët e shikojnë gotën gjysmë të mbushur, ndërsa pesimistët e shikojnë gotën gjysmë të zbrazët.
Vitin që lamë pas ishte një vit turbulent në aspektin politik, si dhe të punës, ambientit, por edhe rezultateve të pushtetit ekzekutiv apo Qeverisë me më shumë ministri, drejtori apo agjenci të ndryshme, pushteti ligjvënës apo Parlamentit, si dhe pushtetit gjyqësor apo gjykatave të ndryshme. Nëse i referohemi vetëm punës së Qeverisë, atëherë mund të dallojmë pesë gjërat me të cilat opinioni nuk mundet dhe nuk është i kënaqur, por edhe pesë gjërat që meritojnë lëvdata për punën dhe rezultatet e arritura.
PESË DËSHTIMET E QEVERISË
- Ngërçi politik i vitit 2017, si dhe ngjarjet e 27 prillit domosdo se kanë lënë gjurmë edhe në punën e Qeverisë në vitin 2018, që është dashur të riparojë dëmet e shkaktuara nga kriza politike e një viti më parë. Nëse 2018-ta ishte viti i përmbylljes së Marrëveshjes së Prespës, dhe lënies pas dore në një pjesë të madhe të ekonomisë dhe afaristëve që janë heronjtë e vërtetë të ekonomisë vendore, që punësojnë, paguajnë paga dhe tatime duke mbushur arkën e shtetit, si dhe eksportojnë. Atyre, vitin e ardhshëm ju nevojitet fillimi i negociatave për anëtarësim në BE, zgjidhja e kontestit gati 30 vjeçar të emrit, si dhe fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO. Ju nevojitet edhe një stabilitet i gjithmbarshëm politik, si dhe realizim më këmbëngulës i reformave në të mirë të qytetarëve dhe biznesit. Të mos harrojmë se vitin 2016 e përcollëm si një vit turbulent ekonomik, me rritje të ulët ekonomike, si dhe me krizë politike që ishte edhe faktori kryesor përkufizues për udhëheqjen e biznesit edhe në vitin 2017.
- Jo për zgjedhje të reja parlamentare. Viti 2019 për Maqedoninë do të ishte vit i humbur ekonomik në rast se së bashku me zgjedhjet presidenciale, në pranverë, mbahen edhe zgjedhjet parlamentare. Në rast të zgjedhjeve për të zgjedhurit e ri të popullit sërish çdo gjë do të ndalet në shtet – së paku për gjashtë muaj apo deri në muajin shtator. Paqartësia politike dhe zgjedhjet si zakonisht i shkaktojnë kokëçarje të madhe biznesit dhe kompanive private. Ambienti i paqartë politik ndikon edhe në stagnimin ekonomik. Kur ka zgjedhje askush nuk flet për biznes dhe ekonomi, ndërsa ngadalësohet edhe konsumi i amvisërive, investimet e biznesit që nënkuptojnë edhe më pak punësime në sektorin privat.
- Niveli i ulët i realizimit të investimeve kapitale. Maqedonia në periudhën e kaluar zakonisht me rebalancët për shkak të mungesës së parave në buxhet, ose për shkak të hyrjes të shumës më të vogël të hyrave në buxhet, së pari ka shkurtuar mjetet e parashikuara për investimet kapitale. Ose nga ana tjetër, investimet kapitale nuk janë realizuar tërësisht si rrjedhojë e rishpërndarjes së mjeteve të dedikuara për investime kapitale për të mbyllur vrimat e tjera buxhetore siç kanë qenë borxhet ndaj kompanive për ndërtimin e objekteve të ndryshme. Në vitet e kaluara ato janë realizuar me 70 deri 80 për qind. Sivjet, në periudhën janar-shtator të këtij viti janë harxhuar vetëm afër 25 për qind apo rreth 107 milionë ero nga 400 milionë euro që parashikoheshin për investime kapitale si rrjedhojë e më shumë problemeve qoftë administrative, qoftë e natyrave të tjera. Mbetet të shikohet në fillim të vitit të ardhshëm se sa është arritur të realizohen investimet kapitale në tremujorin e katërt apo në periudhën tetor-dhjetor të vitit 2018, për shkak se nga realizimi i tyre do të varet edhe rritja ekonomike e projektuar në 3 për qind të PBB-së.
- Guxim për reforma. Banka Botërore në raportin e saj të fundit vlerëson se Maqedonia posedon potencial të konsiderueshëm për të përshpejtuar rritjen ekonomike, për të zbutur varfërisë, si dhe për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, sidomos të atyre me të ardhura shumë të vogla. Në drejtim të rritjes më të madhe ekonomike – nevojitet të shfrytëzohen përparësitë konkurruese të vendit përfshi edhe pozitën gjeografike, llogaridhënien ndaj tregtisë dhe investimeve etj. Megjithatë, nga ky institucion i rëndësishëm financiar vlerësojnë se suksesi i vendit në realizimin e të gjitha fushave me prioritet varet prej asaj se sa me guxim do të veprohet dhe do të mbahet kursi stabil i reformave.
- Fushë tjetër ku Maqedonia në vazhdimësi merr kritika të ndryshme nga organizatat e ndryshme relevante botërore është gjyqësori dhe sundimi i së drejtës. Ndër të tjerash, sipas Bankës Botërore, Maqedonia ka dhjetë fushë me prioritet ku duhet të veprojë. Fusha e parë është sigurimi i sundimit të së drejtës dhe ndërtimit të institucioneve publike të afta të jenë transparente ndaj qytetarëve.
PESË MASAVE POZITIVE
- Rritja e pagës minimale. Sindikalistët kërkojnë që Qeveria, pas rritjes së pagës minimale në 12 mijë denarë , të intervenohet sërish me qëllim që paga minimale të rritet në së paku 15 mijë denarë me qëllim që punëdhënësit të pranojnë masat qeveritare për rritjen e pagave. Në favor të rritjes së pagave në shtet qoftë me subvencione, si rrjedhojë e ambientit të përmirësuar ekonomik, si dhe rezultateve më të mira të punës së bizneseve – flet edhe fakti se në tregun e punës në Maqedoni në vazhdimësi figurojnë afër 200 mijë persona të papunë, ndërsa për çdo muaj ofrohen nga 6000 deri 7000 vende të lira të punës që nuk mund të plotësohen. Paradoksi ku nga njëra anë të papunët ankohen se nuk mund të gjejnë punë, ndërsa nga ana tjetër, firmat ankohen se nuk mund të gjejnë punëtorë, shpjegohet nga ekonomistët me faktin se punëtorët janë të pakënaqur me nivelin e pagave që ofrohen.
- Rritja e pagës mesatare në sektorë të ndryshëm. Në buxhetin e vitit 2019 parashikohet rritja e pagës për 10 për qind për mjekët specialistë prej janarit të vitit 2019, si dhe 5 për qind paga më të larta për të punësuarit në shëndetësi, arsim, çerdhe, mbrojtje, administratën shtetërore, polici dhe gjyqësor prej shtatorit të vitit 2019. Një hap i tillë është për tu përshëndetur, mirëpo mbetet sfida për ekzekutivin që të realizojë ambient politik dhe ekonomik që do të sjellë rritje më të madhe ekonomike dhe paga më të larta. Kjo nga shkaku se rroga mesatare në Maqedoni prej afër 400 euro që në praktikë nuk e gëzojnë një pjesë e madhe e punëtorëve në shtet, mbulon vetëm harxhimet e ushqimit dhe banimit të shportës konsumatore të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.
- Në kuadër të planit qeveritar për rritje ekonomike mbështeten më shumë se 250 kompani me afër 35 milionë euro. Pjesa më e madhe e mjeteve apo 17 milionë euro shkojnë përmes Fondit për inovacione, 9.2 milionë euro është ndihma shtetërore e parashikuar për 100 kompanitë që para pesë muaj nënshkruan marrëveshje me ekzekutivin, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve shkojnë për investitorët e huaj për marrëveshjet me qeverinë e mëparshme. Ndihma e tillë për bizneset do të paraqesë mbështetje të madhe për Maqedoninë, e cila renditet ndër ekonomitë më të dobëta në Evropë lidhur me konkurrencën e ekonomisë vendore. Sipas Raportit për konkurrencë globale, ekonomia e vendit është pozicionuar në vendin e 84-të duke shënuar rënie prej 22 vende në raport me vitin 2016. Notat më të dobëta janë fituar në kapacitetin e inovacioneve me 31.1 për qind, madhësinë e tregut me 39.2 për qind, dhe funksionimin e institucioneve me 50.6 për qind andaj përkrahja që nxit zhvillimin teknologjik të firmave në shtet, rrit konkurrencën e tyre në rajon dhe botë dhe nxit inovacionin dhe kreativitetin e tyre, patjetër se është e mirëseardhur dhe është për tu përshëndetur se një nismë e tillë do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.
- Rritja e transparencës apo e llogaridhënies së harxhimit të të hollave, me çka qytetarët dhe kompanitë kanë qasje dhe mund të dinë se si harxhohen të hollat që ata i paguajnë në arkën e shtetit përmes pagesës së tatimeve të llojeve të ndryshme. Publikimi i rregullt i raporteve për realizimin e buxhetit sipas shfrytëzuesve të buxhetit dhe sipas komunave. Të gjithë shfrytëzuesit e buxhetit dhe komunat kanë obligim ligjor që llogaritë përfundimtare ti publikojnë në uebfaqet e tyre. Evidencë e borxheve të mbetura nga ana e institucioneve, komunave dhe fondeve si dhe mekanizmat ligjor që do të pengojnë grumbullimin e borxheve të reja. Një hap i tillë vjen pas pagesës së gjysmës s borxheve që kishin komunat nga ana e shtetit.
Bile edhe euro komisari për çështje financiare, Pjer Moskoviçi ka përshëndetur avancimin e transparencës fiskale në Maqedoni
- Rritja e shfrytëzimi të IPARD 2 që u shfrytëzuan për blerjen e traktorëve, mekanizimit, makinerive dhe pajisjeve për kapacitetet prodhuese. Pas suksesit të këtij viti prej 1 mijë kontratave të nënshkruara për shfrytëzimin e mjeteve IPARD në vlerë prej 18 milionë euro, pritet që edhe në vitin e ardhshëm të nënshkruhen së paku po aq kontrata, për çka do të ndihmojë edhe rritja për 90 milion denarë, apo 150 milionë denarë në 2019 në vend të 60 milionë denarë në vitin 2017 për kofinancimin kombëtar të programeve IPARD. Njëherazi, buxheti i bujqësisë në vitin 2019 do të jetë i vlefshëm 10.5 miliardë denarë, ndërsa vetëm për subvencionet bujqësore në vitin 2019, do të ndahen 6.6 miliardë denarë. Paralajmërohet se edhe në vitin 2019, subvencionet të paguhen tërësisht dhe me kohë. (koha.mk)