Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në një-vjetorin e “marrëveshjes historike” që u arrit më 18 mars 2023 në Ohër të Maqedonisë së Veriut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas një cikli të gjatë të negociatave, tha se do të vazhdojë presioni ndërkombëtar ndaj të dyja palëve derisa të nisë zbatimi i marrëveshjeve.
Duke shprehur keqardhje që përkundër përpjekjeve të BE-së, deri tani nuk ka pasur progres konkret në zbatimin e obligimeve që palët kanë marrë përsipër, kryediplomati evropian deklaroi para gazetarëve në Bruksel të Belgjikës se shpreson që palët do të vazhdojnë rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ashtu siç përcaktohet në marrëveshjen e arritur vitin e kaluar.
“Sot është përvjetori i Marrëveshjes së Ohrit – koha fluturon dhe tashmë është bërë një vit që kur Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për të ecur drejt normalizimit. Përkundër mbështetjes së gjerë të BE-së, palët kanë arritur pak progres. Shpreh keqardhje që kjo marrëveshje e vështirë për t’u arritur nuk është zbatuar”, theksoi shefi i diplomacisë evropiane të hënën.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç e pranuan marrëveshjen më 27 shkurt në Bruksel. Pastaj u arrit një dakordim që do ta përcaktonte trajektoren e procesit të normalizimit në qytetin piktoresk të Ohrit. Megjithatë, një vit pas, tensionet politike dhe pengesat praktike ende mbeten emërues të përbashkët të zhvillimeve.