Shkup, 22 qershor – Presidenti Gjorge Ivanov nuk u përgjigj në ftesën që ta pranojë Veglën për llogaridhënie, me çka refuzon t’i informojë qytetarët për shpenzimet e tij zyrtare, kumtoi pres shërbimi qeveritar.
“Ende nuk ka përgjigje nga presidenti Ivanov, në letrën e Qeverisë me propozim dhe Zyra e presidentit ta pranojë Veglën për qeverisje transparente, llogaridhënie dhe komunikuese. Në frymën e vendosmërisë për transparencë dhe llogaridhënie në punën e institucioneve shtetërore dhe funksionarëve të zgjedhur, Qeveria i bën thirrje presidentit të RM-së t’i vë në kontroll të opinionit informatat dhe të dhënat për shpenzimin e parave të qytetarëve”, thuhet në kumtesë.
Në letrën, e dërguar më 29 maj, ministri i obliguar për Komunikime, Llogaridhënie dhe Transparencë Robert Popovski, e ka informuar presidentin Ivanov se vegla për qeverisje transparente, raportuese dhe komunikuese është e arritshme për të gjithë funksionarët e zgjedhur të cilët janë të gatshëm t’i lënë në çdo moment në kontroll të qytetarëve edhe informatat dhe të dhënat për shpenzimin e parave të tyre.
Në letër Qeveria e ka informuar presidentin Ivanov, se përmes Veglës për llogaridhënie, para qytetarëve deri tani janë publikuar shpenzimet e kryeministrit, të ministrave, të zëvendësministrave, të sekretarëve shtetërorë dhe të sekretarit të përgjithshëm në Qeveri.
Qeveria i obligoi edhe drejtorët dhe zëvendësit e tyre në organet e pavarura të drejtorisë shtetërore, organeve në përbërje të ministrive, dhe të Këshillit inspektues, ndërsa u tregoi edhe drejtorëve të ndërmarrjeve publike, agjencive dhe shoqatave aksionare në pronësi të shtetit t’i publikojnë shpenzimet shtetërore.
Më tutje, Qeveria e Republikës së Maqedonisë e informon presidentin Ivanov se Vegla për qeverisje me përgjegjësi u ishte propozuar edhe kryetarëve të komunave, të cilët, në ndërkohë, me vendim të Bordit Drejtues të BNJVL-së morën rekomandim të fillojnë ta zbatojnë këtë Vegël dhe t’i publikojnë shpenzimet e bartësve të funksioneve publike në ueb faqet e tyre.
“Ky vendim merr rëndësi ende më të madhe nëse merret parasysh fakti se pushteti lokal në Republikën e Maqedonisë tërësisht është i pavarur në krijimin e politikave të tij dhe për atë pranimi i këtij rekomandimi flet për vetëdije të lartë edhe të përfaqësuesve të vetëqeverisjes lokale për kuptim të transparencës dhe raportimit para qytetarëve dhe në nivel të njësive të vetëqeverisjes lokale”, thuhet në kumtesën e pres shërbimit qeveritar.
Edhe pse të gjitha këto informata, duke i përfshirë edhe informatat për shfrytëzimin e kësaj vegle për kërkim të lehtë të shpenzimeve të funksionarëve të zgjedhur, ishin cituar në letër deri te Zyra e presidentit të Republikës së Maqedonisë, së bashku me ofertën për asistencë për shfrytëzim të Veglës, as nga Zyra, as nga presidenti Ivanov, deri tani nuk ka përgjigje nëse e pranon ose jo mundësinë e mënyrës së hapur dhe transparente t’u tregojë qytetarëve se si Zyra e presidentit të Republikës së Maqedonisë i shpenzon paratë e tyre”, theksojnë nga pres shërbimi qeveritar.