Një hit këngëtare ndërvite ka qenë dhe vazhdon të jetë aktive Lumturie Axhami, ndonëse shumica e mbajnë mend atë vajzën me flokë kaçurrele që i këndonte dashurisë dhe të rinjve. Sot vjen në një rrëfim për InfraRed të gazetës Koha. E kthejmë ndërvite Lumturien, e cila flet për karrierën e saj e që nuk ndalet ende duke sjellë këngë të bukura si ato që dëgjoheshin dikur. Lexoni në vazhdim intervistën e bukur të këngëtares së hitit “Kthema mua fatin tim”, “Oj Lajle” etj…
KOHA: Meqenëse jemi në atmosferën e prag të fundvitit, sa sinjifikante është për ju ky fundvit?
Zakonisht, çdo fundvit ka aktivitet të ngjeshur, ku shihet rezultati përfundimtarë ku këngëtarët reflektojnë për punën e tyre.
KOHA: Sa e vështirë ka qenë për Lumturien të përkushtohet në të njëjtën kohë karrierës dhe familjes?
Jam e bekuar, sepse familjen e kam po aq të shenjtë sa edhe këngën, prandaj edhe i gërshetoj të dyja me aq pasion dhe dashuri.
KOHA: Si ndiheni në rolin e nënës?
Një ndër “profesionet” që më së tepërmi e kam pasur frikë ka qenë ai i nënës, por mund të them se arrita të menaxhoj mirë dhe ndihem krenare me fëmijët e mi, pasi ato sot janë të rritur akademik dhe secili ka zgjedhur rrugëtimin e tij dhe mua më japin ndjesinë e të qenit nëna më e lumtur në planetë.
KOHA: Nuk keni thurur plane për të ardhmen e tyre? Prindërit artist e kanë merak që fëmijëve të tyre t’u trashëgojnë dhe talentin artistik?
Planet për fëmijët thuren kur kanë moshë më të vogël ndërsa tani, pasi ato vetë e kanë timonin në dorë ndërsa mua më mbetet të përkrahë sa herë që kanë nevojë për mua. Sa i përket muzikës skena nuk do imponim. Si artiste jam munduar të kenë një bazë të kulturës kur kanë qenë të vogël janë marrë me këndim gjë të cilën nuk e vazhduan sepse kishin ëndrra tjera.
KOHA: Keni një karrierë të gjatë artistike, mbani mend fillimet?
Vajza që filloi të këndojë përpara se të flasë.
KOHA: Po momentin e parë të daljes në skenë?
Me krenari e mbaj epitetin Lumturia. Kisha fatin që në moshë të re të isha shumë e popullarizuar, momentet e para në skenë ishin shumë emocionuese por isha aq e re saqë nuk kuptoja se jam duke lënë namin gjithandej, u rrita së bashku me këngën.
KOHA: Pse pikërisht vazhduat me muzikë e jo me ndonjë fushë tjetër, film për shembull sepse keni një pamje tipike të aktores?
Ndoshta edhe do e kisha provuar aktrimin sepse edhe ai është art, mirëpo kam vendosur që të qëndroj besnike këndimit.
KOHA: Mania e sotme e femrave që janë personazhe të njohura është që të bëjnë në të njejtën kohë shumë gjëra e disa profesione, po ju?
Njëjtë si çdo personazh i njohur kam dëshirë të notoj nëpër profesione të ndryshme, ka një kohë të gjatë që jam kantautore, më pëlqen të shkruaj vargje të bukura që më vonë i sinkronizoj në muzikë.
KOHA: Cilat këngë e repertorit tuaj do mendoni se ka arritur jetëgjatësinë?
Kam fatin që të gjitha këngët e mia kanë qenë hite dhe sot e kësaj dite dëgjohen përfshirë këtu Këngën e Rexhës, Prej Zemanit, Kthema mua fatin tim, Oj Lajle, etj.
KOHA: Ndonjë projekt të fundit keni realizuar?
Patjetër, së shpejti do shfaqen këngët e reja për fundvit, besoj të ju pëlqejnë edhe juve dhe mos zhgënjejë adhuruesit e këngës sime.
KOHA: Cila mendoni se është arsyeja që shumë emra të njohur janë larguar nga skena e festivaleve?
Menaxhimi i dobët, dhënia me mos meritë e çmimeve të para, fakti që tani muzika shihet e nuk dëgjohet.
KOHA: Cilat janë pasionet e Lumturies?
Arti i kuzhinës, leximi, piktura, artizanate të ndryshme etj.
KOHA: Libri i fundit që keni lexuar?
Mashtrimi i Madh nga Dan Brown
KOHA: Anët tuaja të forta dhe të dobëta si karakter?
Anë të forta do veçoja sinqeritetin, guximin…, kurse anë të dobëta do thosha dhembshurinë.
KOHA: Nëse do bënim një retrospektivë në vitet e fëmijërisë në cilën masë janë realizuar dëshirat që keni pasur si fëmijë?
Mund të them se i kanë kaluar pritshmëritë e mia, kam familje, miq, shëndet, lumturi e dashuri.