Një tjetër tentativë për ndërmjetësim nga Brukseli për çështjen Kosovë – Serbi, në pikun e debateve mbi heqjen e dinarit serb nga transaksionet bankare në Kosovë.
Brukseli i druhet përshkallëzimit të marrëdhënies mes dy vendeve dhe për këtë arsye ka ftuar përfaqësues të dy qeverive më 27 shkurt për të biseduar rreth çështjes. Por deri tani, ftesën e BE-së për datën 27 shkurt, duket se nuk e ka konfirmuar asnjëra nga palët.
“Kemi thënë se i kemi ftuar palët, por nuk kemi konfirmuar asnjë mbajtje takimi deri tani” – thotë për Deutsche Welle Peter Stano, zëdhënësi i shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borell.
Profesori amerikan, Daniel Server, ekspert i Ballkanit, thotë se takimet e niveleve të larta me ndërmjetësim të Brukselit zakonisht nuk kanë prodhuar rezultate.
Dinari nuk është pjesë e procesit të dialogut
DW kontaktoi edhe kabinetin e kryeministrit Kurti, i cili sqaroi se Kurti do të ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar në ato data dhe rekomandoi të kontaktohej kabineti i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, njëkohësisht edhe kryenegociator idialogut me Serbinë.
Sipas zëdhënësit të zëvendëskryeministrit Bislimi: “Rregullorja e BQK për operacionet me para të gatshme (apo ajo që po tentojnë ta quajnë ‘çështja e dinarit’) nuk është pjesë e procesit të dialogut. Në këtë takim të thirrur, kryenegociatori apo dikush nga ekipi negociues nuk do të shkojë, meqë siç thamë, kjo nuk bën pjesë në procesin e dialogut. Për pjesën tjetër, nëse shkon ndonjë përfaqësues tjetër apo kush do të jetë ai, do të mbaheni të informuar”.
Ndërsa nga pala serbe, presidenti Vuçiç e kërkoi një takim të tillë publikisht pak ditë më parë, gjatë një daljeje për mediat nga Konferenca e Sigurisë në Mynih.
“Më duket se BE nuk mundet ose nuk do të ndërmarrë veprime kundrejt Prishtinës, e cila jo vetëm zbaton masa të njëanshme por edhe kërkon spastrim etnik të serbëve në Kosovë, me çdo formë të mundshme” – tha Vuçiç para gazetarëve në Mynih.
Daniel Serwer, drejtues i departamentit të Menaxhimit të Konflikteve në universitetin “John Hopkins”, njëkohësisht me eksperiencë të gjatë në studimin e konflikteve në Ballkan, thotë për Deutsche Welle se “Asnjë nga këto takimet e nivelit të lartë mes palëve, nuk kanë pasur dhe aq rezultat”.
“Pretendimi për ‘spastrim etnik’ është i pavërtetë. Por është e rëndësishme për Prishtinën që të sigurojë sa më mirë që të mundet që interesat e të gjithë qytetarëve të saj të jenë të mirëpërfaqësuara. Këtë duket se e mundëson një periudhë tranzitore, e ndjekur më pas me rregullimet e nevojshme” – analizon Serwer.
Përdorimi i dinarit serb në kryerjen e veprimeve financiare në Kosovë u ndalua me ligj që nga 1 shkurti. Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës ngjalli reagime të shumta në komunat me shumicë serbe në Kosovë, Serbi dhe komunitetin ndërkombëtar. (DW)