Javën e kaluar, forcat ruse depërtuan nëpër vijat ukrainase në fshatin Oçeretnje, duke e shfrytëzuar vrullin që kishin marrë në shkurt nga pushtimi i qytetit industrial, Avdivka, rreth 25 kilometra në juglindje. Komandantët i zëvendësuan shpejt trupat ushtarake, të rraskapitura nga lodhja, me një brigadë tjetër që kishte luftuar në zonë për më shumë se një vit.
Rreth një orë udhëtim me makinë në veri, trupat ruse, duke përfshirë njësitë elitare të parashutistëve, me vështirësi kanë depërtuar në një kanal të rëndësishëm në Çasiv Jar, vendbanim ky që ofron pamje më të mirë për artilerinë që ka cak një linjë hekurudhore kritike të furnizimit për forcat e Ukrainës.
Ndërkohë, qindra kilometra në jugperëndim, këmbësoria ruse depërtoi në një pjesë të fshatit Robotnje, fshat të cilin trupat ukrainase e rimorën në një kundërofensivë të shumëpërfolur të vitit të kaluar, e cila ishte shumë larg objektivave të saj.
Komandanti i përgjithshëm i Ukrainës nuk i ka kursyer fjalët.
“Situata në front është përkeqësuar”, tha gjeneralkoloneli Oleksandr Syrskiy në një postim në Telegram më 28 prill. Forcat ruse, sipas tij, “po sulmonin në mënyrë aktive përgjatë gjithë vijës së frontit me suksese taktike në disa zona”.
Të rrethuar dhe pa armatim, forcat ukrainase morën një mbështetje që ua ngriti moralin e luftës javën e kaluar, kur ligjvënësit amerikanë më në fund miratuan një paketë ndihme prej 60 miliardë dollarësh të dominuar nga armët: raketa kundërajrore; municion për armë të vogla; sisteme obusësh 105 milimetërshe dhe 155 milimetërshe; predha për sistemet e artilerisë HIMARS me precizitet të lartë, automjete luftarake të këmbësorisë Bradley etj.
Kjo paketë u miratua disa muaj që nga donacionet e fundit thelbësore.
Por, pozicioni i Ukrainës në fushën e betejës është i zymtë.
Forcat e saj janë të pakta në numër. Pavarësisht se qeveria më në fund miratoi një ligj të ri për mobilizim, që synon përfshirjen e më shumë burrave në luftë, do të duhen javë, nëse jo muaj, përpara se trupat e reja të stërviten, pajisen dhe të jenë në gjendje të bëjnë ndonjë ndryshim thelbësor në front.
Në këtë situatë, komandantët rusë duket se kanë marrë një vendim për të rritur ritmin e operacioneve, duke synuar fitore të mëdha për t’u mburrur përpara festimeve kombëtare të Ditës së Fitores më 9 Maj.
“Në përgjithësi, ne po humbasim ngadalë territor”, tha Ivan Stupak, një analist me Institutin Ukrainas për të Ardhmen, një institut kërkimi në Kiev, duke shtuar se Rusia po fokuson përparimin e saj të vazhdueshëm në një front të ngushtë të fushëbetejës në rajonin e Donjeckut.
“Shtabi i Përgjithshëm i Rusisë ka vendosur më shumë fuqi punëtore dhe pajisje në Donjeck nga drejtime të tjera”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
“Kështu që tani Rusia po i thyen ngadalë vijat tona të mbrojtjes”.
“Ne kemi arritur në pikën ku situata në vijën e parë është më e keqja që nga marsi i vitit 2022”, tha Konrad Muzyka, një analist i mbrojtjes me bazë në Poloni, i cili udhëton rregullisht në Ukrainë.
“Epërsia numerike e rusëve vazhdon të rritet e me të, edhe numri i sulmeve”, tha ai në një postim për X, dikur Twitter. “Ukraina ende nuk e ka pasur orën më të errët. Ajo nuk ka filluar ende”.
“Ukraina nuk ka mundësi të mira edhe me pakon e fundit të ndihmës. Shumë analistë ushtarakë kanë arritur tashmë në këtë përfundim, privatisht, por nuk janë të gatshëm ta shprehin atë”, tha Eugene Rumer, një ish-analist i lartë i Rusisë në Këshillin Kombëtar të Inteligjencës së SHBA-së.
Gjendje e vështirë
Iniciativa në fushën e betejës është zhvendosur disa herë që kur Rusia nisi pushtimin e saj masiv në shkurt të vitit 2022. Ukraina pengoi avancimin e Rusisë në kryeqytetin, Kiev, por forcat pushtuese kapën pjesë të territorit në rajonet jugore Herson, Zaporizhja, Donjeck, Luhansk, dhe rajonin e Harkivit në lindje.
Ukraina befasoi trupat ruse me dy kundërofensiva të lokalizuara në vjeshtën e vitit 2022, duke rimarrë sasi të konsiderueshme toke në rajonet Harkiv dhe Herson.
Ukraina më pas, pjesën më të madhe të muajve në vijim i kaloi duke përgatitur, trajnuar dhe pajisur nëntë brigada të reja të blinduara, me armatim perëndimor dhe ndihmën e NATO-s.
Katër brigada të tjera morën gjithashtu armatim perëndimor dhe në qershor të vitit 2023 Kievi nisi një kundërofensivë në tri drejtime.
Megjithatë, ajo u lëkund, e penguar nga linjat e gjera mbrojtëse ruse.
Në anën tjetër, forcat ruse u rritën edhe më shumë, të përforcuara nga brigada të të burgosurve dhe një mobilizim i madh i urdhëruar nga presidenti Vladimir Putin.
Infrastruktura industriale e Rusisë u mobilizua për të furnizuar vazhdimisht ushtrinë me artileri, municion dhe automjete.
Në shkurt të vitit 2024, trupat ukrainase u detyruan të tërhiqen nga Avdivka, një qytet industrial që i kishte dhënë Ukrainës një pikë të favorshme mbi kryeqytetin rajonal të Donjeckut.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkarkoi komandantin e famshëm të vendit, gjeneralin Valeriy Zaluzhniy, pasi publikisht dha një vlerësim pesimist për trajektoren e luftës.
Baticat, që atëherë janë kthyer më shumë kundër Ukrainës, pjesërisht për shkak se fluksi i ndihmës i SHBA-së dhe armatimeve të tjera perëndimore u ngadalësua në një rrjedhë mospajtimesh të brendshme politike në Uashington.
Rusia ka përfituar nga mungesa e mbrojtjes kundërajrore, duke përdorur bomba me eksplozivë të rëndë të pajisura me krahë dhe navigacion satelitor me efekt shkatërrues.
“Na pret një situatë e vështirë në të ardhmen e afërt. Por, nuk do të jetë katastrofike, le të jemi të qartë”, tha për BBC Kyrylo Budanov, shef i Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës. “Nuk do të ketë Armagedon, siç thonë shumë… por do të jetë një periudhë e vështirë. Mesi i majit, fillimi i qershorit”.
Por, kritikët thonë se Qeveria Zelensky ishte gjithashtu e ngadaltë për t’i dhënë përparësi ndërtimit të vijave të saj mbrojtëse përgjatë vijës së frontit prej 1200 kilometrash, pasi u bë e qartë se fuqia taktike e Rusisë po rritej. Qeverisë iu deshën muaj për të miratuar legjislacionin e ri që synonte të angazhonte më shumë burra në front.