E premte, 21 Mars, 2025
-3.2 C
Skopje

Avniu, frymëzimi i një atdhetari për Arbënorin dhe Astritin

 

 

I lindur në fshatin Sllupçan të Komunës së Likovës, më 3 maj 1947, Avni Dehari shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen-gjimnazin në Preshevë, kurse u diplomua në Fakultetin e Filologjisë, gjuhë dhe letërsi shqipe, në vitin 1974, në Prishtinë. I rritur në një familje patriotike, Avniu arriti të largohej nga Maqedonia në kohën kur agresioni shtetëror i Maqedonisë, i ndihmuar nga Serbia Jugosllave, kishte vënë në listën e arrestimeve të gjithë intelektualët shqiptarë që kundërshtonin cungimin dhe heqjen e gjuhës shqipe në paralelet e arsimit të mesëm në Kumanovë dhe gjithandej nëpër qytete të ndryshme në Maqedoni. Pasi u largua dhunshëm nga puna si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, përveç Avniut, persekutimeve të sistemit shtetëror iu nënshtrua edhe familja më e gjerë, ndërsa pësoi rëndë edhe vëllai i tij, Esati. Me këtë rast, pak para aksionit për arrestimin e tij, së bashkë me bashkëshorten – Xhemilen, Avniu në vitin 1981 u strehua në Zvicër, për të vepruar gjithmonë për çështjen kombëtare deri në vitin 1999, pas luftës së Kosovës, ku edhe përfundimisht kthehet për të jetuar në Prishtinë. Në Zvicër, i shoqëruar nga atdhetarë të shumtë shqiptarë, Avniu arriti të botojë revistën “Zëri i Kosovës”, që si organ propagandistik e informativ, kishnte luajtur rol të madh në mobilizimin dhe ndërgjegjësimin e masave të gjera jo vetëm në mërgatën shqiptare në Perendim, meqë ishte shndërruar në një flakadan të mirëfilltë lirie për gjithë kombin.

Avni Dehari
Avni Dehari

Shtëpia e Avniut, “Shtabi” i lëvizjeve kombëtare

Organizatorë i shumë protestave në Zvicër dhe qytetet tjera të Evropës, Avniu, që ndryshe njihej edhe me emrin “Agim Vardari”, kishte arritur të frymëzojë shumë të rinj shqiptarë të kontribuojnë dhe të ndihmojnë lëvizjet popullore të shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Preshevë dhe Mal të Zi, gjithmonë kundër pushtetit të egër serb, ndërsa ishte pjesë e ngushtë e hierarkisë së lartë të Lëvizjes Popullore të Kosovës në Zvicër. Në Norvegji, përgjegjës për të gjitha aktivitetet shqiptare ishte caktuar kushëriri i Avniut, Qani Dehari, ndërsa në Maqedoni në ilegalitet vepronte edhe vëllai, Esati. Shtëpia e Avniut në Zvicër ishte bërë “Shtabi” kryesor i gjithë lëvizjes kombëtare për çlirimin e shqiptarëve. Të arratisurit nga Kosova, Maqedonia dhe Presheva stacionin e parë në Zvicër e kishin banesën e patriotit nga Sllupçani. “Në mars të vitit 1987, pas një periudhe qëndrimi në ilegalitet, me ndihmën dhe përcjelljen e shokëve, jam arratisur në Zvicër. Në Zvicër kishin gjetur strehim politik edhe një pjesë e bashkëveprimtarëve që militonim në kuadër të LPRK-së atëbotë, në mesin e të cilëve ishte edhe Avni Dehari me familje. Në këtë mes, por edhe te Xhemilja dhe Avniu, unë e gjeta, si të thuash, shtëpinë e dytë”, ka thënë Sadri Ramabaja për portalin Periskopi. Ramabaja, njëri nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Avni Deharit, babait të Arbnorit dhe Astritit, tregon se edhe Redaksia e “Zërit të Kosovës” ishte vendosur në shtëpinë e Avniut. “Struktura e LPRK (Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës) në Zvicër po bënte punë të madhe në ruajtjen dhe kultivimin e frymës atdhetare në mesin e mërgimtarëve tanë, por edhe për koordinimin e përpjekjeve për ngritjen e strukturave të saj brenda në Kosovë e Maqedoni, që më vonë do të formojnë UÇK-në. Si Xhemilja edhe Avniu ishin pjesë, madje që nga strukturat bazë të LPRK – Këshillat popullor që i kishim në kantone të Zvicrës, e deri në strukturat drejtuese të organizatës. Si familje jashtëzakonisht bujare, bukëdhënëse, besnike e ideale për shumë çifte ët reja, ata me kohë ishin shndërruar në model të një familjeje atdhetare”, rrëfen Ramabaja. Avniu, veç si patriot, njihet edhe si shkrimtar e poet. Deri më tash i ka botuar këto libra: poemën për fëmijë “Dielli”, me pseudonimin Agim Vardari, monografinë “Arif Seferi – në shërbim të popullit”, në bashkautorësi me Destan Hajdinin, përmbledhjen poetike për të rritur “Pas rrezes së diellit”, librin për fëmijë në prozë “Saja fluturuese”, përmbledhjen me poezi për fëmijë “Hëna në dritare”, “Kënga e Drerit Fjalëpak”, “Flokëhapareshuri” dhe “Gjergji i Arberisë”. “Nxin e qesh natyra” është libri i tij i nëntë.

Arbënor Dehari
Arbënor Dehari

Arbënori, Astritit dhe frymëzimi nga babai

Një jetë kushtuar atdheut kishin edhe dy djemtë e Avniut, që të dy tanimë të ndjerë – Arbënori dhe Astriti. Arbënori, dikur sekretar organizativ në Lëvizjen Vetëvendosje, shihej në secilin tubim apo protestë të organizuar kundër vendimeve të pushtetit, për të cilët Vetëvendosje konstatonte se janë të dëmshme për Kosovën. I arrestuar disa herë gjatë përleshjeve me policinë, Arbënori ndërroi jetë para dy vitesh (në moshë 26-vjeçare) në mënyrë tragjike. Në një film dokumentar gjerman të punuar me rastin e dyvjetorit të pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt 2010, si shembuj të personave që janë kthyer nga Zvicra për të jetuar në Kosovë, Arbënori kishte thënë se, megjithëse dallimi në mes të jetës në Zvicër dhe Kosovës është shumë i madh, këtë të fundit asnjëherë nuk do të vintë pas asnjë shteti në botë. “Dallimi në mes të jetës në Zvicër është shumë i madh, nëse dëshirojmë ta bëjmë krahasimin në aspektin e kushteve të jetesës, por nëse ne të rinjtë nuk punojmë këtu për të ndërtuar shtetin, kush duhet ta bëjë”, ishte shprehur ndër të tjera në këtë dokumentar, Arbënor Dehari. Edhe vëllai i tij, Astriti, që dje vdiq në Spitalin e Prizrenit, në po këtë dokumentar është shprehur se nuk mund të paramendojë të jetoj në Zvicër, përveç në vizitë apo për pushime që thotë se mund ti kalonte atje.

Astrit Dehari
Astrit Dehari

Astrit ndërroi jetë të shtunën ndërsa ishte duke u mbajtur në paraburgim prej 67 ditësh nën dyshimin se ishte i përfshirë në një sulm ndaj Kuvendit të Kosovës në gusht të këtij viti. Të dy vëllezërit, Arbënori dhe Astriti ishin rritur me frymë kombëtare, duke parë aktivitetet e babait Avniut dhe nënës Xhemile për çlirimin e Kosovës, shqiptarëve të Maqedonisë dhe Pershevës nga çizmja sllave. (Vedat MEMEDALIU)

 © Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm