E hënë, 21 Prill, 2025
12.8 C
Skopje

Ushtaret e lodhura nga lufta

Ndodhet pikërisht në Virxhinia shtëpia e vogël, e heshtur e ushtareve të harruara. E rrethuar nga lule blu, të kuqe dhe të bardha, tamam si ngjyrat e flamurit, për të cilat duket që kujdesen duart e këtyre grave, shtëpia e shpresës, ashtu siç njihet tashmë, mban brenda saj ngushtë-ngushtë 12 femra ushtarake bashkë me fëmijët e tyre të kthyera nga misionet në Irak dhe Afganistan. Janë veterane lufte të pastreha, që shteti i braktisi në fatin e tyre sapo hoqën uniformën ushtarake dhe veshën rrobat civile. Janë pothuajse 15 mijë gratë ushtare që u kanë mbijetuar luftërave “për të çuar demokracinë” e për t’u bërë vetë më pas viktima të paqes, dhe të një demokracie indiferente pas rikthimit në atdhe. Por tragjedia e ushtarit që kthehet në shtëpi nga fronti i luftës dhe lihet pa përkrahje është e njohur për Amerikën që nga lufta e Vietnamit. Gjithsesi numri i femrave amerikane në ushtri është rritur vazhdimisht nga një vit në tjetrin. Rreth 16 për qind e uniformave, të gjitha të forcave të armatosura amerikane, mbahen sot veshur nga gratë që shpesh kanë edhe role jo pak të rëndësishme. Gratë pjesëmarrëse në Luftën e Dytë Botërore ishin vetëm 3 për qind dhe shumë shpejt u përthithën në një ekonomi që po zhvillohej me ritme galoponte. Ato ditën shumë mirë të përshtateshin dhe të integroheshin pas luftës, për të vazhduar normalisht punën e tyre, por mbi të gjitha për t’u ndier të përfshira në shoqëri.

Por sot numri i këtyre ushtareve femra që rikthehen në një botë që nuk di ç’të bëjë me to është shumë i madh. Shpesh janë gra të reja, mosha e tyre nuk është as 30 vjeç, por që kjo nuk u mjafton për të rinisur jetën nga fillimi. Për më tepër të tronditura nga një luftë, ku asgjë nuk fitohet, por vetëm humbet. Tre të katërtat e tyre janë afro-amerikane, të pashpresa, të papuna, pa të ardhme. “U futa në ushtri për të shpëtuar nga mërzitja dhe mungesa e shpresës dhe të ardhmes në vendin tim në Alabama”, tregon një prej grave të harruara që qëndrojnë në strehëzën e vogël në Virxhinia, që financohet nga donacione private dhe vullnetare. Rikthimi në botën normale, sidomos pas disa viteve në Bagdad apo Kandahar, është i vështirë për të gjithë. Një në katër banorë të pastrehë në Amerikë është ish-ushtarak, por ky fakt i tmerrshëm mund të jetë shkatërrues për gratë. Disa prej tyre ishin të martuara, ose nëna që i rrisnin të vetme fëmijët e tyre, për të cilët kujdeseshin të afërmit, pasi ato iknin në luftë. Ato me më shumë fat, që vazhdojnë të kenë një shtëpi, familje dhe arrijnë të integrohen, vuajnë më pas nga ai që njihet si stresi i betejës, e që shpesh degjeneron në shqetësime të rënda psikike. Disa prej tyre, ashtu siç tregohet në raportin “Veteran Administration” kanë pësuar edhe dhunë seksuale. Sipas një raporti të departamentit për veteranët, numri total i atyre pa shtëpi është rritur me 12 për qind nga viti 2012 deri në 2014-n, ndërsa numri i veteraneve është dyfishuar nga viti 2006 deri në 2014-n. Janë gjithsej 14.847 gratë e pastreha. Por nëse shteti tregohet kaq pak bujar me këtë kontingjent, kanë lindur edhe organizatat private, vullnetare, siç është rrjeti “Final Salute” që financon shtëpi si vila e vogël në Virxhinia, në hyrje të Uashingtonit. Ajo ka mirëpritur në gjirin e saj 3400 veterane nga 15 mijë gjithsej me fëmijët e tyre dhe pothuajse të gjitha të ndara nga bashkëshortët apo partnerët e tyre dhe pa asnjë ndihmë financiare. Flas, për dy vjet, e konsideruar si kohë e arsyeshme për të rimarrë veten pas luftës dhe për ta nisur jetën nga e para. Nëse kanë ndonjë para, ose janë të punësuara, mund të paguajnë vetëm 20 për qind të shpenzimeve. Është me të vërtetë prekëse të shohësh se si ushtarake, tashmë të paarmatosura, e organizojnë sërish jetesën e përbashkët me rregullat ushtarake që dikur eprorët e tyre u kishin ngulitur mirë në kokë. Ka masa për thyerjen e rregullave të shtëpisë, për kujdesin e fëmijëve, për lëvizjen për të kërkuar punë… e kështu me radhë për çdo shërbim që kryhet në shtëpi.

“Po kalojmë një revolucion demografik për të cilën burokracia, e ndërtuar për meshkujt, nuk ishte gati”, pranon drejtori i shërbimeve për ish-veteranët e gjymtuar të luftës, Daniel Bertnoni. “Ende sot nuk dimë se si të ndihmojmë një grua që nuk ka vetëm nevojë për proteza artificiale, por edhe për një shtëpi për vete dhe fëmijët e saj. 60 milionë dollarët në dispozicionin e tyre nuk mjaftojnë”. Megjithatë ashtu siç thotë Jas Booth, një grua kapitene në ushtri dhe mes organizatoreve të “Final salut”, mes këtyre ushtareve të harruara nuk ka keqardhje, apo trishtim. “E dinim shumë mirë se çfarë na priste dhe përsëri vendosëm që t’i shërbenim vendit tonë”, thotë Vanessa, një banore e shtëpisë së vogël në Virxhinia. Një vend, që tanimë ka harruar t’u shërbejë atyre.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm