Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj postimit të sekretarit organizativ të Lëvizjes BESA, Adnan Azizi, i cili në një postim të tij kishte shkruar se BDI po shpenzon miliona euro, para nga taksat e qytetarëve për të korruptuar analistë dhe gazetarë nga Kosova e Shqipëria, për të blerë mediumet vendore, vetëm e vetëm që ta shpëtojnë nga humbja katastrofale që do i ndodh më 8 maj.
“Paniku i BDI-së është tepër i madh, saqë ka pronësuar dhjetëra portale, televizione, ka angazhuar qindra gazetarë e analistë për të punuar në mediumet e paguara nga BDI, të cilat përsëri nuk arrin efekt në opinion, pasi siç thotë një fjalë e urtë “Populli ta lexon letrën në xhep” dhe çdo ditë e më tepër ua dërgon mesazhin se “kot e keni, nuk e hamë më çorbën tuaj që e gatuani për 22 vite”. Për këtë arsye, nuk ju ndihmojnë jo vetëm media dhe gazetarët nga Kosova e Shqipëria, por sikur edhe nga e gjithë bota ti mblidhni…”, ka shkruar Azizi, duke publikuar edhe fotografi të disa gazetarëve nga Kosova dhe Shqipëria.
BDI në reagim thotë se opozita shqiptare më në fund e ka kuptuar se më 24 prill dhe më 8 maj do të pësojë humbje të thellë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
“Nëse deri më tani fajin për humbje nga BDI ia hidhnin njëri-tjetrit, tani akuzojnë edhe mediat dhe gazetarët nga Shqipëria dhe Kosova. Madje, duke shpifur se janë shitur për të mbrojtur BDI-në dhe akuzuar opozitën. Adnan Azizi, Sekretari Organizativ i Lëvizjes Besa dhe eksponent i lartë i opozitës shqiptare shpif se “BDI po shpenzon miliona euro, para nga taksat e qytetarëve për të korruptuar analistë dhe gazetarë nga Kosova e Shqipëria, për të blerë mediumet vendore, vetëm e vetëm që ta shpëtojnë nga humbja katastrofale që do i ndodh më 8 maj”.
Bashkimi Demokratik për Integrim me shqetësim të thellë ndjek shpifjet dhe akuzat e pabaza ndaj çdonjërit që mendon ndryshe nga opozita, ndërsa fton të njëjtit të mos involvojnë struktura, personalitete, gazetarë dhe media nga Shqipëria dhe Kosova në fushatën parazgjedhore në Maqedoninë e Veriut dhe mos të ofendojnë media dhe gazetarë.
“Njëkohësisht informojmë opinionin se Bashkimi Demokratik për Integrim respekton fjalën e lirë, pasi vlerësojmë se korrektori kryesor demokratik i pushtetit është media e lirë dhe e pavarur që e thotë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. I bëjmë me dije opozitës që, duke shpif për media dhe gazetarë shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, nuk i bën nder askujt përveç shefave me qendër në Moskë dhe Beograd”.
Lufta hibride e koordinuar me VMRO-DPMNE-në dhe Levicën, thuhet në reagimin e BDI-së, tashmë po kalon çdo parashikim për fushatë të pistë të opozitës, andaj i bëjmë thirrje opinionit të verifikojnë çdo lajm dhe informatë që vjen nga i ashtuquajturi “Koalicioni Vlen”.