Shkup, 8 shkurt – Partitë që kanë fituar mbi 1,5 për qind të votave nga qytetarët të cilët votuan në zgjedhjet e 11 dhjetorit, presin që Parlamenti të sjell vendim për kompensimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore. Kodi Zgjedhor parasheh që partitë apo koalicionet të marrin nga 15 denarë për çdo votë të fituar. Më shumë para duhet të merr VMRO-DPMNE, respektivisht mbi 110 mijë euro, kurse LSDM mbi 106 mijë euro. Të partitë shqiptare, në bazë të votave të fituara, BDI-së i takojnë 21 mijë euro, Lëvizjes BESA 14 mijë, Aleancës për shqiptarët 8.5 mijë euro, ndërsa PDSH-së i takojnë 7 mijë e 600 euro. Edhe pse nuk fitoi vend në Parlament, koalicioni VMRO për Maqedoninë do të fitojë pothuajse 6 mijë euro. Të hollat duhet të paguhen nga buxheti në afat prej tre muajve pas dorëzimi të raporteve financiar në bazë të raportit të KSHZ-së. Ndërkaq, përfundimin e seancës konstitutive dhe formimin e komisioneve parlamentare e presin 39 ish deputetë, të cilët kanë dorëzuar kërkesa për apanazh dhe që duhet të miratohet nga Komisioni për zgjedhje dhe emërime. Në bazë të Ligjit për paga dhe kompensime, deputetët që e kanë ushtruar funksionin për 6 muaj do kenë kompensim për 3 muaj, për ushtrimin e funksionit deri në 12 muaj do kenë 6 muaj kompensim, deri në 24 muaj do kompensohen 9 muaj, ndërsa ata persona që kanë qenë deputet dy vite do marrin pagë mujore edhe 1 vit. Paga mujore e një deputeti në Maqedoni është diçka më shumë 80 mijë denarë, nëse shumëzohet paga mesatare në vend me koeficientin e deputetëve prej 3,70. Nga gjithsej 123 deputetët e përbërjes së kaluar parlamentare, sërish janë zgjedhur 58, kurse 24 të tjerë janë kthyer në vendet e mëparshme të punës.