Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) Antonio Guterres të martën paralajmëroi se ligji për ndërtimin e vendbanimeve të reja hebreje në Bregun Perëndimor, i cili u miratua nga Parlamenti izraelit, mund të çojë në pasoja ligjore për Izraelin, raporton Anadolu Agency (AA). Në një deklaratë nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së thuhet se Guterres shpreh shqetësim të thellë rreth ligjit në fjalë. “Ky ligj është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe do të shkatojë pasoja ligjore për Izraelin”, tha Guterres. Ai theksoi se ky ligj legjitimon ndërtimin e njësive banesore në tokën private të palestinezëve në Bregun Perëndimor. Guterres tha se duhet t’i shmangen hapave që rrezikojnë idenë e zgjidhjes me dy shtete. Anëtarët e parlamentit izraelit të hënën miratuan projekt-ligjin që lejon ndërtimin e vendbanimeve të reja hebreje, të cilat përbëhen nga 4.000 njësi banesore në tokën private të palestinezëve në Bregun Perëndimor.