Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) miratuan një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, si kundërpërgjigje ndaj agresionit të këtij vendi ndaj Ukrainës, dhe në listë është edhe Conex doo, një kompani nga Serbia.
Me zgjerimin e masave kufizuese, lista e personave të sanksionuar që mbështesin luftën e Rusisë kundër Ukrainës tani numëron mbi 2000.
Vendimi përfundimtar do të publikohet në gazetën zyrtare të BE-së, në prag të dyvjetorit të fillimit të luftës në Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt 2022.
Bëhet fjalë për paketën e 13-të të sanksioneve që BE-ja po vendos ndaj Rusisë dhe personave apo subjekteve që mbështesin luftën në Ukrainë.
“Ambasadorët e BE-së sapo kanë rënë dakord në parim për paketën e 13-të të sanksioneve për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës. Kjo paketë është një nga më të gjerat e miratuara nga BE. Do të kalojë një procedurë të shkruar dhe do të miratohet zyrtarisht më 24 shkurt”, shkruan Presidenca belge e BE-së në rrjetin X.
Pakoja e sanksioneve përfshinte edhe Conex doo nga Serbia, kompani e cila tashmë është zyrtarisht e sanksionuar dhe kompanive nga vendet e BE-së u ndalohet bashkëpunimi me këtë kompani.
Sipas raportit financiar, kjo kompani ishte pothuajse joaktive deri në fillimin e pushtimit të Ukrainës.
Siç është raportuar më parë nga Radio Evropa e Lirë, kompania Conex me seli në Beograd, është e regjistruar për të kryer aktivitete këshilluese lidhur me biznesin dhe menaxhimin. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë për regjistrat e biznesit, ajo është themeluar në vitin 1992 në Valjevë.
Të dhënat nga raportet financiare, të publikuara në faqen e Agjencisë për Regjistra të Bizneseve, tregojnë se kompania ka qenë joaktive gjatë viteve 2020 dhe 2021, ndërsa vitin 2022 e ka mbyllur me të ardhura totale operative prej një milion eurosh dhe në bilancin total ka bërë një humbje e vogël.
Detajet rreth operacioneve gjatë vitit 2023 nuk do të jenë të disponueshme për publikun deri në prill të këtij viti, kur Agjencia për Regjistrat e Biznesit publikon raportet e rregullta vjetore financiare të kompanive që operojnë në Serbi.
Pronari i Conex është Aleksandar Ivanoviq, i cili ka qenë edhe drejtor i kësaj kompanie deri në mars të vitit 2020. Ivanoviq më herët ka pasur një kompani për tregti me shumicë të elektro-pajisjeve elektroshtëpiake, Elektro Concept Valjevo, por ky person juridik është joaktiv që nga viti 2020, sipas të dhënave të Agjencisë për regjistrat e bizneseve.
Arsyetimi i BE-së se pse kjo kompani nga Serbia është përfshirë në listën e subjekteve të sanksionuara do të bëhet e ditur kur vendimi të publikohet në gazetën zyrtare.
Sipas shpjegimit të BE-së, në listën e sanksioneve futen personat fizikë apo juridikë që janë pjesë e kompleksit ushtarak dhe industrial rus, kanë lidhje tregtare apo të tjera me këtë industri. Ata që mbështesin ose përmirësojnë sektorin rus të mbrojtjes dhe sigurisë janë gjithashtu të sanksionuar.