Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka falënderuar Aleancën e NATO-s në 25-vjetorin e bombardimeve në Beograd, të cilat çuan edhe në dhënien fund të gjenocidit serb në Kosovë.
Përmes një publikimi në X, ish-Twitter, Begaj shkruan se NATO-ja ndërhyri për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë dhe sot përkujtohet kjo ngjarje me rëndësi historike për Kosovën dhe gjithë shqiptarët.
“Ndërhyrja e NATO-s sipas kreut të shtetit, e udhëhequr nga SHBA-të, i dha të drejtë kauzës së popullit të Kosovës dhe përpjekjeve për liri e pavarësi.
“Në sajë të kësaj ndërhyrjeje, u mundësua më pas pavarësimi dhe krijimi i Republikës së Kosovës, një histori suksesi e shtetndërtimit demokratik”, shkruan presidenti.
Në mbyllje ndërkaq, ai reflekton se prania e NATO-s në Kosovë sot, përmes KFOR-it, vijon të luajë rol të rëndësishëm për sigurinë në rajon.
“Sot përkujtojmë sakrificat e kombit shqiptar, luftën heroike të UÇK-së dhe viktimat e luftës në Kosovë. Nder përjetë heronjve të kombit!”, përmbyll ai.
25 vjet nga 24 marsi i bombardimeve të NATO-s
“Qytetarët e mi amerikanë, sot forca jonë ushtarake iu bashkua aleatëve tanë të NATO-s në sulmet ajrore kundër forcave serbe, përgjegjëse për brutalitetin kundër Kosovës. Kemi vepruar për disa arsye; për të mbrojtur jetët e mijëra njerëzve të pafajshëm në Kosovë nga ofensivat ushtarake si dhe kemi vepruar për të parandaluar një luftë më të madhe…”, kishte deklaruar mes tjerash Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, më 24 mars 1999.
Këtë të dielë, saktësisht 25 vite më parë, filloi bombardimi i caqeve policore e ushtarake serbe nga forcat aleate të NATO-s, për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, fushatë e nisur nga Presidenti fashist i Serbisë, i njohur si Kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviç.
Pas refuzimit të palës serbe për të nënshkruar Marrëveshjen e Rambujes, e cila kishte si qëllim zgjidhjen paqësore të konfliktit në mes të Kosovës (atëherë krahinë e Serbisë në kuadër të Jugosllavisë) dhe Serbisë, ndodhi ajo që ishte paralajmëruar – bombardimi i Serbisë.
Delegacioni i palës shqiptare të Kosovës në Konferencën e Rambujes, që përbëhej nga: Hashim Thaçi – si udhëheqës i delegacionit dhe përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ibrahim Rugova – kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Veton Surroi – përfaqësues i shoqërisë civile dhe Rexhep Qosja, për dallim nga pala serbe, kishin pranuar ta nënshkruanin Marrëveshjen.
Madje, pala serbe nuk përfaqësohej nga ai që kishte pozitën më të lartë institucionale në Serbi, Sllobodan Millosheviç, por nga zëvendës-kryeministri serb Ratko Markoviç.
Si derivat i refuzimit të palës serbe për ta nënshkruar marrëveshjen, pra pasi që u shtjerrën të gjitha mundësitë për një zgjidhje paqësore, NATO filloi fushatën ushtarake.
Arsyet e ndërhyrjes së NATO-s ishin shpërngulja dhe dëbimi me dhunë i popullsisë civile shqiptare dhe spastrimi etnik që po kryhej nga regjimi i Serbisë, pra e drejta humanitare.
Moment vendimtar ishte masakra e Reçakut (15 janar, 1999), ku 45 civilë të pafajshëm shqiptarë ishin vrarë nga forcat policore-ushtarake serbe.
Një ditë më pas, më 16 janar shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, e kishte vizituar Reçakun dhe kishte parë me sytë e tij atë se çfarë kishte ndodhur.
Ai do ta cilësonte këtë masakër si “krim kundër njerëzimit”.
Kjo ngjarje kishte përshpejtuar përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për t’i dhënë një zgjidhje çështjes së Kosovës.
E si reaksion do të sillte Konferencën e Rambujes (shkurt-mars 1999).
Konferenca e Rambujes ishte hera e parë që Kosova përfaqësohej nga një delegacioni i saj dhe që për herë të parë ishte palë në një Konferencë Ndërkombëtare.
Refuzimi i palës serbe për ta nënshkruar Marrëveshjen e Rambujes, kishte bërë që mes dilemash dhe kundërshtimesh nga Kina dhe Rusia, ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, më 23 mars 1999, në orën 22:17, të urdhëronte një sulm ajror mbi Republikën Federale të Jugosllavisë.
Arsyetimi: në Serbi nuk ka gatishmëri për zgjidhje politike të krizës së Kosovës.
Bombardimi i ish-Jugosllavisë (lexo: Serbisë) nga forcat aleate të NATO-s, në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare është një ngjarje historike.
Në analet e historisë, shënon një ngjarje të re: një shtet sovran po bombardohej nga një aleancë ushtarake, e gjithë kjo pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Arsyeja e ndërhyrjes ishte përgjigjeje ndaj dhunës represive dhe krizë humanitare që po ndodhte në Kosovë, ku shqiptarët etnikë po përjetonin persekutimin dhe dhunën sistematike nga forcat policore-ushtarake serbe.
Fushata e bombardimeve do të zgjaste për 78 ditë me radhë me sulme ajrore mbi caqet ushtarake dhe policore serbe. Bombardimet kishin tri objektiva kryesore: mbrojtjen ajrore jugosllave, sistemet e komandës dhe kontrollit dhe forcat ushtarake serbe të dislokuara në Kosovë.
Bombardimet, po ashtu do të krijonin edhe një konfigurim të ri gjeografik, pasi që Kosova nuk do të ishte më pjesë e Serbisë, fillimisht do të administrohej nga ndërkombëtarët dhe më pas do shpallej shtet i pavarur (17 shkurt, 2008).
Një nga polemikat më të mëdha sa i përket ndërhyrjes së NATO-s në bombardimin e Serbisë lidhet me ligjshmërinë e ndërhyrjes.
Ka nga ata që e shohin dhe përpiqen ta argumentojnë si “shkelje të sovranitetit” të një shteti, duke qenë se nuk kishte një miratim nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.
Mirëpo, mbështetësit e intervenimit japin argumente se kjo është e justifikuar në bazë të konceptit “ndërhyrje humanitare”, e cila parasheh ndërhyrje në funksion të mbrojtjes së civilëve nga privimi i të drejtave dhe lirive të tyre.
Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, forcat serbe vranë mbi 10 mijë shqiptarë të Kosovës, depërtuan afro një milion shqiptarë nga Kosova, shkatërruan mijëra shtëpi, dhe dhunuan mijëra gra.
Mirëpo, pas 78 ditësh bombardime, gjeneralët e Slobodan Millosheviçit, do të detyroheshin që të nënshkruanin kapitullimin, në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut, më 9 qershor 1999.
Këtë marrëveshje e nënshkruan Gjeneral Sir Michael David Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviç, i akuzuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid, i dënuar me 22 vjet burgim.
Në këtë marrëveshje u caktuan një sërë kushtesh, por nga më të rëndësishmit ishte largimi i plotë i ushtrisë dhe policisë serbe nga territori i Kosovës.
Më 10 qershor 1999, u miratua nga OKB-ja edhe rezoluta për Kosovën, e njohur si rezoluta 1244. Ndërsa, më 12 qershor, forcat e NATO-s hynë në Kosovë nga Maqedonia.