Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta i shoqëruar nga shefi i kabinetit, Bashkim Hasani, dolën në terren dhe ndoqën nga afër punimet rreth riasfaltimit të rrugës kryesore të lagjes Dutllëk.
“Pas mbarimit të ndërtimit të rrugës dhe urës lidhëse mbi lumin Vardar, filluam punimet për riasfaltimin e rrugës kryesore në lagjen Dutllëk. Rruga ishte e dëmtuar në masë të madhe dhe pasi i kishim përmbyllur procedurat ligjore, kompania që fitoi tenderin filloi me punë. Besoj që brenda 15 apo 20 ditëve rruga do të jetë e kompletuar. Pas rregullimit të rrugës dhe me vënien në funksion të rrugës dhe urës së re, besoj që komunikacioni në pjesën qendrore të qytetit do të shkarkohet në masë të madhe”, potencoi në deklaratën për mediat kryetari Nevzat Bejta. Gjatësia e rrugës është 1.200 metra dhe do të riasfaltohen gati 10 mijë metra katror, ndërsa vlera e investimit është 8 milion e 500 mijë denarë ose rreth 140 mijë euro.
Me investimin e fundit, do të rregullohen rrugët që çojnë tek tre shkollat e mesme të qytetit, sepse, krahas rrugës kryesore ku graviton shkolla e mesme e ekonomisë, do të asfaltohen edhe rrugët ku gravitojnë dy shkollat e tjera komunale, Gjimnazi dhe Shkolla e mesme e Mjekësisë.