Shkup, 26 prill 2017 (MIA) Kuvendi i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë u prononcua kundër rregullimit ligjor të internet portaleve dhe përmbajtjeve mediale pasi që më shumë ligje do të thotë liri më e vogël për mediat, deklaroi kryetari i SHGMsë, Naser Selmani, në konferencën e përbashkët për shtyp me Sekretarin e përgjithshëm të Federatës evropiane të gazetarëve (FEG), Rikardo Gutierez. “Dukuritë negative në media si gjuha e urrejtjes nuk janë rezultat i mungesës së ligjeve, por për shkak të refuzimit të institucioneve për t’i zbatuar të njëjtat. SHGM e refuzon idenë për rregullimin e përmbajtjeve mediale dhe çdo gazetar profesionist duhet të refuzojë shteti ta vlerësojë punën e tij si gazetar. Etika gazetareske zgjidhet me mekanizma vetërregullues”, deklaroi Selmani. Selmani, gjithashtu, theksoi se numri i sulmeve ndaj gazetarëve vitin e kaluar është rritur dhe ju bëri thirrje institucioneve t’i dënojnë ata që shkaktojnë dhunën. Sekretari i përgjithshëm i Federatës evropiane të gazetarëve, Rikardo Gutierez, shfaqi brengosje për shkak të retorikës antimediale të politikanëve të Maqedonisë dhe theksoi se ata kanë përgjegjësi të qartë për sulmet ndaj gazetarëve në Maqedoni. “Jemi duke i ndjekur edhe rastet e gazetarëve të arrestuar në Evropë dhe Maqedoni, për fat të keq, është një prej pesë vendeve ku ka raste të tilla. Ato janë Turqia, Azerbajxhani, Mali i Zi, Rusia dhe Maqedonia”, deklaroi Gutierez. Lidhur me rrezikun e rregullimit të ri të përmbajtjes mediale, Gutierez, tha se ajo në Maqedoni është rregulluar me ligj. “Sipas nesh, në Maqedoni nuk ka nevojë për ligje të reja për rregullimin e mediave dhe vlerësojmë se rregullimi i madh do të jetë në kundërshtim me standardet BEsë”, deklaroi Gutierez.