Të dhënat e ESHS-së tregojnë se titullin magjistër i Shkencave dhe Specialist e kanë fituar gjithsej 1.883 persona, nga të cilët 1.590 ose 84.4 për qind janë magjistra, ndërsa 293 persona ose 15.6 për qind janë specialistë. Numri i magjistrave dhe specialistëve, krahasuar me vitin 2021, është ulur me 4.7 për qind
Anëmsha SHABANI
Shkup, 28 mars – Interesi për zhvillim dhe specializim profesional ka rënë. Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) tregojnë se gjatë vitit të kaluar një numër më i vogël i qytetarëve kanë marrë titullin Magjistër i Shkencave, Doktor i Shkencave si dhe ka rënie të numrit të specialistëve. Shifrat tregojnë se rënia e numrit të personave që fitojnë ndonjë nga titujt e përmendur nuk është ulur vetëm vitin e kaluar 2023, por se një rënie është vërejtur edhe në vitin paraardhës 2022 krahasuar me 2021. Sipas të dhënave të ESHS-së, në vitin 2023 titullin Doktor i Shkencave e kanë marrë 174 persona, me një rënie prej 11.7 për qind krahasuar me vitin 2022.
“Numri më i madh i personave, 22.4 për qind, kanë doktoruar në fushën e biznesit, administratës dhe drejtësisë, pasuar nga 20.7 për qind në fushën e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, ndjekur nga shkencat sociale, gazetaria dhe informacioni, ku 13.8 për qind njerëz që morën një doktoraturë vitin e kaluar. Më pas vijojnë ata që kanë marrë titullin doktor në fushën e arteve dhe shkencave humane me 12.1 për qind dhe pjesa tjetër e fushave kanë përqindje më të ulët të përfaqësimit”, thuhet në analizën e ESHS-së.
Nga gjithsej 174 persona që kanë marrë titullin doktor, 91 janë gra që kanë arritur të mbrojnë disertacionin e doktoraturës gjatë vitit 2023. Ato përbëjnë shumicën e personave që kanë marrë titullin doktor dhe përbëjnë 52.3 për qind të numrit të përgjithshëm të personave që kanë doktoruar në të njëjtin vit. Përqindja më e madhe e numrit të përgjithshëm të personave të doktoruar, pra 21.2 për qind, e kryejnë profesionin e tyre në arsim. Për krahasim me vitin 2022 , sipas të dhënave të ESHS-së, titullin Doktor i Shkencave e kanë marrë 197 persona, kur ka pasur rënie prej 2 për qind krahasuar me vitin 2021 .
Të dhënat tregojnë se në vitin 2023 titullin master shkencor dhe specialist e kanë fituar gjithsej 1.828 persona, nga të cilët 1.624 ose 89 për qind janë master dhe 204 ose 11 për qind janë specialistë. “Numri i masterave dhe specialistëve, krahasuar me vitin 2023, është ulur me 2.9 për qind. Pjesëmarrja e grave master në numrin total të personave që kanë marrë titullin master shkencor në vitin 2023 është 59.8 për qind. Në vitin 2023, numri më i madh i temave të magjistraturës, 624 ose 38.4 për qind, janë në fushën e biznesit, administratës dhe drejtësisë, 21.6 për qind janë në fushën e inxhinierisë, prodhimit dhe ndërtimit, pasuar nga shkencat sociale me 11.9 për qind dhe pjesa tjetër kanë përqindje më të ulët përfaqësimi”, thuhet në analizë. Ndër të tjera, të dhënat e ESHS-së tregojnë se titullin master i shkencave dhe specialist e kanë fituar gjithsej 1.883 persona, nga të cilët 1.590 ose 84.4 për qind janë master, ndërsa 293 persona ose 15.6 për qind janë specialistë. Numri i masterave dhe specialistëve, krahasuar me vitin 2021, është ulur me 4.7 për qind. (koha.mk)