Blerja e një apartamenti në Maqedoni dhe rajon nga viti në vit po bëhet e vështirë, kjo duke marrë parasysh çmimet e rritura të krahasuara me të ardhurat e familjeve
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 28 mars – Blerja e një apartamenti në Maqedoni dhe rajon nga viti në vit po bëhet e vështirë, kjo duke marrë parasysh çmimet e rritura të krahasuara me të ardhurat e familjeve. E ndërsa bankierët kanë paralajmëruar një ulje të lehtë të interesit të kredisë për banesa që nga mesi i vitit, ndërtuesit dhe agjentët e pasurive të paluajtshme besojnë se çmimet e banesave nuk do të ndryshojnë ndjeshëm. Krahas kërkesës, rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme u ndikua nga inflacioni, por edhe nga ndërprerjet në tregun e materialeve të ndërtimit, veçanërisht gjatë pandemisë së virusit korona, dhe më pas nga lufta në Ukrainë.
Rritja e kostos së materialeve të ndërtimit dhe mungesa e fuqisë punëtore janë pjesë e arsyes pse çmimet e pasurive të paluajtshme kanë shënuar rritje kaq të madhe në Ballkan. Qoftë mungesa e punëtorëve të kualifikuar të ndërtimit, ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit, spekulimet e tregut apo dyshimet për pastrime parash, çmimet e pasurive të paluajtshme po rriten jashtëzakonisht shumë në Ballkan. Dhe apartamentet, të vjetra dhe të reja, po shiten mirë pavarësisht çmimit. Vetëm në vitin 2022, çmimet e patundshmërive në Maqedoni janë rritur me 20.6 për qind. Rritje dyshifrore ka pasur edhe në tremujorin e fundit të vitit 2021, përderisa paraprakisht çmimet janë rritur me 2 deri 6 për qind. Të dhënat e fundit tregojnë se Çmimet e banesave në Shkup në tremujorin e katërt të vitit 2023 janë rritur për shtatë për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak dhe për një për qind në krahasim me tremujorin e tretë, sipas indeksit të çmimeve të banesave të Bankës Popullore.
BALLKANI I SHTRENJTË
Të dhënat e fundit nga Eurostat zbulojnë se në tremujorin e fundit të 2022, çmimet e shtëpive dhe apartamenteve të blera në Kroaci u rritën me 17.3 për qind, norma më e lartë në Bashkimin Evropian.
Çmime të larta të banesave janë shënuar në të gjitha shtetet e Ballkanit perëndimor edhe si rrjedhojë e blerjes së banesave në det nga të huajt, nga ana e mërgimtarëve.
Vetëm duke iu referuar analizës së Numbeo një apartament në qendër të Shkupit kushton ndërmjet 100 dhe 150 mijë euro, ndërsa në Tiranë çmimet luhaten ndërmjet 200 dhe 400 mijë euro për një banesë luksoze në qendër. Në Prishtinë një metër katror në qendër kushton ndërmjet 1500 deri 3000 euro, ndërsa në Zagreb një metër katror në qendër të qytetit kushton ndërmjet 3500 deri 5000 euro. Në Sofje të Bullgarisë apartamentet kanë një çmim mesatare prej 3500 deri 7000 euro për metër katror, ndërsa apartamentet luksoze në qendër të Beogradit kanë çmimet marramendëse prej 360 mijë deri në 550 mijë euro.
Në Athinë çmimet luhaten prej 2000 deri 5000 euro, ndërsa në Lubjanë ato lëvizin prej 3850 deri 6000 euro për një metër katror në qendër të qytetit. Për shumë njerëz, logjika pas kësaj rritjeje të pamëshirshme të çmimeve të banesave në kryeqendrën e Maqedonisë në Shkup ku vështirë se mund të blihet banesë nën 1000 euro, duket kundërthënëse për shkakun se vendi po përballet me një eksod të konsiderueshëm për shkak të emigrimit, së bashku me një rënie të lindjeve që lë shumë pasuri të paluajtshme të pabanuara.
Eksperti Nikolla Vellkovski, thotë se përkundër faktit se nuk ka bazë, çmimet e banesave në Shkup nuk do të ulen, madje mund të rriten për shkak të rritjes së kërkesës.
“Shkaku pse është i lartë çmimi për metër katror është se biznesi me apartamente është marrë nga kompani tregtare që shfaqen vetëm si investitorë dhe nuk ushtrojnë aktivitet ndërtimi. Më shumë se 80 për qind e kompanive në vend bëjnë tregti vetëm me apartamente, qëllimi kryesor i të cilave është fitimi. Ata përfitojnë nga situata e rritjes së kërkesës për apartamente në vend dhe rrisin çmimet e tyre. Përderisa kërkesa është e madhe dhe çmimi për metër katror do të rritet”, thotë Vellkovski.
Daniel Cekov, nga Shoqata për Industrinë e Ndërtimit të Materialeve në Odën Ekonomike, thotë se industria e materialeve të ndërtimit po përballet me tri sfida të mëdha: çmimet e paqëndrueshme të energjisë, lëndët e para dhe pajisjet, operativi i shkatërruar vendor ndërtimor dhe reduktimi i stafit në të gjitha nivelet e arsimit dhe certifikimit, tregu i parregulluar dhe importet. “Nëse marrim parasysh se sipas sasisë së xhiros, prodhuesit e çimentos dhe gipsit janë drejtuesit e kësaj dege, pasuar nga prodhuesit e betonit, atëherë shohim një situatë të qëndrueshme dhe një rritje të lehtë. Këta prodhues furnizohen me lëndë të parë bazë në vend, dhe varësisht nga ndryshimi i çmimeve të energjisë i kanë rregulluar çmimet e produkteve”, thotë Çekov.
Nga ana tjetër, investitorët thonë se çmimet i krijojnë sipas kostove, për të cilat tani ankohen se janë rritur – shërbimet e objektit, blerja e tokës në të cilën do të ndërtohet, por edhe materialet e ndërtimit.
TAVANI I ÇMIMEVE
“Por, që çmimet të mos dalin jashtë kufijve të arsyeshëm dhe që apartamentet të jenë në dispozicion të kategorive të ndryshme të qytetarëve, duhet të ketë rregullim nga shteti, pasi nëse investitorët vetë diktojnë çmimin, ata mund të shesin apartamente deri në 6.000 euro për metër katror dhe për këtë nuk janë të detyruar t’i përgjigjen askujt”, konsideron kryetarja e Asamblesë së Asociacionit të Arkitektëve në Maqedoninë e Veriut, Iskra Jankovska-Mihajllovska.
Shteti mund të ndjekë shembullin e vendeve të tjera evropiane, apo t’i detyrojë ndërtuesit që 10 për qind të banesave në ndërtesat e reja t’i ndajnë për kategoritë sociale dhe t’i shesin me çmime dukshëm më të ulëta se ato të zakonshmet.
Problem tjetër, sipas Mihajllovskës, është se ajo mendon se ligjet aktuale në ndërtim duhet të pësojnë ndryshime të caktuara, gjegjësisht thonë se shteti po i mbyll sytë ndaj investitorëve që nuk paguajnë tatim për banesat e ndërtuara me vite. “Shteti duhet të ndërhyjë. Ato firmat e ndërtimit i ndërtojnë ato apartamente me kredi dhe i zotërojnë, ligjet janë bërë aq në favor të tyre sa që edhe nëse nuk i shesin ato apartamente psh në një pallat me pesë apartamente, kur investitori shet një ose dy ai tashmë është paguar. Dhe pastaj investitori i tre apartamenteve të tjera mund ta mbajë çmimin sa të dojë. Kredia i është paguar, por shteti nuk ia ngarkon banesën me tatim”, thekson Jankovska-Mihajlovska duke shtuar se nëse investitorët do të detyroheshin t’i paguanin këto taksa, çmimet e banesave do të ndryshonin në mënyrë drastike.
Në ndërkohë, rritje e pandalshme e çmimeve të apartamenteve vërehet edhe në Shqipëri dhe sidomos në Tiranë. Gjin Gjoka, ekspert Imobiliar, thotë se çmimi i rritjeve ka ndodhur për shkak të rritjes së lëndës së parë. “Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve. Kemi të bëjmë me rritje të krahut të punës, hekuri, betoni, elektriket, të gjitha kanë pësuar një rritje. Janë rrit themelet, siguracionet. Kryesore është rritja e krahut të punës në pagesa ditore. Për shkak të rritjes së çmimit të lëndës së parë, koha, siguracioni, pra të gjitha këto janë arsye”, tha ai.
Ndërkohë Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA, thotë se pas pandemisë tregu është diktuar nga shitësit, ndërsa shton se rezulton se në vendin tonë, 1 në 4 investime, janë nga të huajt. Ai po ashtu bie dakord me argumentimin e Gjokës.
“Nuk është se ka ndodhur vetëm në vendin tonë. Pas pandemisë ka qenë tregu i shitësit, pra ata kanë diktuar tregun. Pjesa e kërkesës, në statistika del se një pjesë e tregut është e arsyeshme. Në 2023 është e saktësuar që një në katër investime të huaja në Shqipëri vjen për pasuri të paluajtshme. Kryesisht kanë blerë në bregdet”, tha ai.
Ndryshe, çmimet e banesave në eurozonë apo shtetet që përdorin euron ranë me 2.1 për qind në tremujorin e tretë të 2023, dhe në të gjithë Bashkimin Evropian ato ranë me 1 për qind. Në Maqedoni në tremujorin e katërt ato janë rritur për 7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa për tre muaj janë rritur për 1 për qind.
Ndonëse rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme në vend është ngadalësuar krahasuar me dy vitet e mëparshme, ajo është ende shumë më e lartë se në vendet e tjera evropiane. Enigma mbetet nëse çmimet e apartamenteve do të ngecin këtë vit apo do të fillojnë sërish të bien. Ndërtuesit janë të vendosur se çmimet nuk do të ulen. (koha.mk)