Parlamenti Evropian, më 14 shkurt 1999, solli një Rezolutë për Kosovën, në të cilën përveç se dënohej ashpër masakra e Reçakut, njëkohësisht kërkohej që të ndërmerreshin të gjitha masat për “ndërprerjen e menjëhershme të spastrimit etnik në Kosovë dhe për tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova…”. Përkundër kësaj, forcat pushtuese ushtarako-policore serbe, vazhdonin të sulmonin vendbanimet shqiptare në Kosovë
Nga Qerim LITA
Pas masakrës së kryer më 15 janar 1999 nga forcat pushtuese ushtarako-policore serbe në Reçak të Shtimes, situata e sigurisë në Kosovë në përgjithësi, e në rrethet e Shtimes, Lipjanit, Ferizajt, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit në veçanti mori një përshkallëzim të skajshëm. Në çdo udhëkryq të këtyre qyteteve ishin instaluar forca të shumta speciale të policisë dhe të ushtrisë serbe. Njësi të shumta të forcave speciale ushtarake ishin vendosur edhe në kazermën ushtarake të Hanit të Elezit në afërsi të shkollës fillore. Në këtë pjesë të Kosovës, thuajse të gjitha dyqanet ishin të mbyllura, në përjashtim të atyre ku pati qarkullim më të madh të qytetarëve.
Në mungesë të mediumeve të pavarura në gjuhën shqipe në Kosovë, mediat në gjuhën shqipe në Maqedoni, në radhë të parë dy gazetat e përditshme “Fakti” dhe “Flaka”, thuajse 50 për qind të faqeve të tyre i kishin rezervuar për ngjarjet dhe zhvillimet e përditshme në Kosovë, si dhe për përpjekjet e faktorit ndërkombëtar, në radhë të parë të SHBA-së, NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, për ndërprerjen e dhunës dhe terrorit ushtarako-policor serb ndaj popullsisë civile shqiptare dhe në gjetjen e një “zgjidhjeje të mundshme paqësore” të statusit të ardhshëm të Kosovës.
Tre ditë pas kësaj masakre çnjerëzore serbo-çetnike, e përditshmja në gjuhën shqipe “Flaka”, njoftonte se, dyshimi i arsyeshëm, se pas sulmit të forcave policore-ushtarake serbe të premten në mëngjes mbi fshatin Reçak të komunës së Shtimes “ka ndodhur një masakrim i paparë i popullatës civile, dje u treguan si të vërteta”. Në numrin e njëjtë, gazeta, botoi editorialin e gazetarit, A. Sinani, me titull “Ku shpijnë kanosjet shterpe të faktorit ndërkombëtar?!”, i cili me të drejtë shtronte pyetjen se “edhe çka duhet të ndodhë në Kosovë, edhe sa njerëz duhet të vriten e t’i lënë vatrat e tyre, që të plotësohet ‘kushti’ për të intervenuar ushtarakisht bashkësia ndërkombëtare kundër regjimit kriminel të Millosheviqit…”.
Në numrat në vijim, gazeta përcillte reagimet dhe deklaratat e shumta të faktorit politik të atëhershëm brenda hapësirës shqiptare, të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të Këshillit të NATO-s dhe të sekretarit të përgjithshëm të asaj organizate politike-ushtarake, Havier Solana, të Komisarit të Lartë për të drejtat e njeriut pranë OKB-së, Meri Robinson, të organizatave të shumta humanitare ndërkombëtare etj. Në letrën që organizata “Mjekët për të Drejtat e Njeriut” ia dërgoi presidentit, Bill Klinton, ndër të tjerave thuhej se “masakra në Reçak vë në dukje edhe një herë nevojën për një politikë të re nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe domosdoshmërinë e një qëndrimi për të shmangur masakra të tjera…”.
Më 21 janar, gazeta përcillte deklaratën e zyrtares së lartë të UNHCR-së, Judith Kumin, dhënë “Qendrës për Informim të Kosovës – QIK”, sipas së cilës “më shumë se 5.000 persona” i kishin braktisur shtëpitë e tyre “pas shpërthimit të fundit të dhunës në rrethinën e Reçakut” dhe nja 1.000 të tjerë kishin ngelur të pastrehuar. “…Shumica e tyre, vazhdon Kumin, gra pleq e fëmijë edhe më tej gjenden nën qiell të hapët në temperatura nën zero. Fjalë është për më të ndjeshmit. Thënë haptas, ata nuk mund të mbijetojnë në qiell të hapur”.
Vala e dëbimit të dhunshëm të popullsisë shqiptare nga vatrat e tyre u përshkallëzua gjatë mbajtjes së Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje dhe menjëherë pas saj. Më 8 shkurt 1999, Arbër Xhaferi, u dërgoi një Promemorie Grupit të Kontaktit në Rambuje, ku ndër të tjerave në të thuhej se kriza e Kosovës buronte nga dy faktorë kyç. E para, hegjemonizmi, nacionalizmi i egër, kolonial dhe brutal serb; dhe e dyta, imponimi (oktroimi) jokritik i principit të mosndryshueshmërisë së kufijve. Këta dy faktorë, sipas Xhaferit, e ushqenin njeri-tjetrin, dhe se viktimë e këtyre faktorëve, në Kosovë ishin qindra mija vetë të larguar nga puna, më se 500.000 refugjatë në Evropën Perëndimore, mija të keqtrajtuar dhe të vrarë, mbi 300.000 të zhvendosur, qindra fshatra të rrafshuara sipas principit tokë e djegur, miliarda dollarë dëme për Kosovën e varfër etj.
“Kriza në Kosovë, thuhet në përmbyllje të Promemories, është pasojë e qasjes real-politike në zgjidhjen e kontesteve ndëretnike, që vetvetiu u hapën pas shthurjes së shteteve federative të kampit socialist. Kjo krizë nuk mund të zgjidhet me këtë qasje e as përmes principit të mosndryshueshmërisë së kufijve. Sidomos kjo krizë nuk mund të zgjidhet me sugjerime romantike, jokritike për demokratizim të Serbisë. Autorët e kësaj teorie, naivisht apo cinikisht sugjerojnë idenë që të ndihmohet procesi i demokratizimit të së ashtuquajturës Jugosllavi, ku vetvetiu do të zgjidhej kriza kosovare. Këta autorë qëllimisht e heshtin argumentin e pamohueshëm: pikërisht Kosova në Serbi, apo Jugosllavi pengon demokratizimin e këtyre vendeve. Kështu ka qenë prej fillimit dhe kështu do të mbetet. Imagjinoni, po të mos ishte Kosova në kuadër të Jugosllavisë, nuk do të kishim as demonstrata e kryengritje si në vitin 1945, ashtu edhe ato të 1968 dhe 1981. Po të mos futej Kosova me dhunë në Jugosllavi më 1945, sot Jugosllavia do të ishte e fortë, e tërë, demokratike dhe e përparuar. Kosova në Jugosllavi prodhon krizën dhe proceset devijante te të dy bashkësitë etnike, te shqiptarët dhe te serbët. Kosova duhet të fitojë të drejtën për vetëvendosje të jashtme. Është e qartë se me këtë nuk synohet të zgjidhet çështja shqiptare, por respektohet një princip legalist gjatë disolucionit të Jugosllavisë, për t’i ngushtuar këtu efektet rrënuese të principeve realpolitike”.
Ndërkohë, Parlamenti Evropian, më 14 shkurt 1999, solli një Rezolutë për Kosovën, në të cilën përveç se dënohej ashpër masakra e Reçakut, njëkohësisht kërkohej që të ndërmerreshin të gjitha masat për “ndërprerjen e menjëhershme të spastrimit etnik në Kosovë dhe për tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova…”. Përkundër kësaj, forcat pushtuese ushtarako-policore serbe, vazhdonin të sulmonin vendbanimet shqiptare në Kosovë. Lidhur me këtë, zëdhënësi i Stej Departamentit, Xhejms Rubin, në një takim që pati me gazetarët më 22 shkurt 1999 në Rambuje, tha se sekretarja e Shtetit, Medlin Olbrajt, ua kishte tërhequr vërejtjen serbëve, duke u thënë se “serbët e kanë gabim që po sulmojnë ditëve të fundit në Kosovë”. Si rrjedhojë e këtyre sulmeve, shpërngulja e popullsisë shqiptare sa vinte e shtohej. Gazeta “Flaka”, më 24 shkurt njoftonte opinionin se në kufirin e Bllacës, vetëm brenda datës 23 shkurt, nga Kosova për në Maqedoni “kishin arritur rreth tre mijë qytetarë”, kryesisht gra, fëmijë e pleq, të cilët vinin nga zonat kufitare të Hanit të Elezit dhe Kaçanikut. “Të ikurit, theksohet në njoftim, flasin për maltretime dhe për pozicionime të soldateskës serbe rreth kufirit madje edhe për vendosjen e minave në urën e Kashanit. Vozitës vullnetarë nga Shkupi, qytetarë të rëndomtë si dhe taksistë i bartin të ikurit nga kufiri për në Shkup…”. Në numrin e njëjtë, gazeta njoftonte për mobilizimin e degëve të Partisë Demokratike Shqiptare të Shkupit (PDSH), të cilët siç thuhej, kishin vendosur kujdestari, për t’iu dallë në ndihmë qytetarëve kosovarë, të cilët po largoheshin nga Kosova. Ndihma, parasëgjithash përbëhej në “sistemimin e menjëhershëm të atyre të larguarve” të cilët nuk kishin familjarë në Shkup e rrethinë.
Po kjo gazetë, më 1 mars 1999, njoftonte për vazhdimin e valës së refugjatëve nga Kosova në Maqedoni, dhe se mbi 3.000 të zhvendosur qëndronin në prag të kufirit me Maqedoninë. “..dje që nga orët e mëngjesit, thuhet në njoftim, ushtria dhe policia serbe, të instaluara në Han të Elezit, kanë ndërmarrë një ofensivë të ashpër në drejtim të fshatrave Dimcë, Bravë, Pustenik, Meliq, Gorancë, Krevenik e Seçishtë, ashtu që e kanë detyruar popullatën e këtyre fshatrave të zhvendosen dhe të kërkojnë strehim në Han të Elezit dhe jashtë Kosovës, pra të kalojë kufirin. Sipas dëshmitarëve, të cilët patën fat ta kalojnë kufirin e Maqedonisë, afër 3000 njerëz, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë janë bllokuar nga policia serbe në prag të kufirit të Maqedonisë, ngase nuk posedojnë pasaporta…”. Një ditë më vonë, gazeta njoftonte se banorët e pesë fshatrave të Kaçanikut: Bob, Biçec, Kovaçec, Gjurgjedell e Llanishtë, ishin detyruar t’i lëshonin vatrat e tyre dhe kishin provuar të depërtonin në Maqedoni, mirëpo ishin penguar nga forcat serbe. Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Bedredin Ibrahimi, më 4 mars 1999, i deklaroi “Flakës” se nga Kosova në Maqedoni, kishin ardhur rreth 7.000 refugjatë, dhe se tek popullata shqiptare në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Gostivar dhe në qytetet tjera të banuara me shqiptarë “mbretëron një solidarizim i madh me të zhvendosurit nga Kosova”.
Ndërkohë, zëdhënësja e Komisariatit të Lartë për refugjatë të kombeve të Bashkuara, Golla Godini, në konferencën për shtyp që e mbajti në Beograd, tha se “ofensivat vijuese ushtarake dhe të ashtuquajturat stërvitje të armatës serbe” kishin shkaktuar shpërnguljen e 5.000 kosovarëve nga rrethi i Kaçanikut dhe i Gajres, dhe se midis datës 26 dhe 28 shkurt mbi 1.200 prej tyre kishin ikur në Maqedoni dhe se për momentin, ata ishin vendosur në qytetet kufitare dhe merrnin ndihmë nga Komisariati në fjalë. Lidhur me këtë, gazeta “Flaka” më datë 6-7 mars 1999, botoi apelin e Komandës së Shtabit të Brigadës “Agim Ramadani” të UÇK-së, drejtuar popullsisë së Kaçanikut ku ndër të tjerave thuhej se: “…nuk ka arsye për panik e frikë sepse është Ushtria Çlirimtare ajo e cila nuk do të lejojë përsëritjen e masakrave serbe edhe në komunën e Kaçanikut… Ikja nga vatrat tona, është vetëm qëllim i barbarëve serbë, prandaj këtë nuk duhet ta lejojmë kurrë që të realizohet. Kosova është e jona dhe vetëm e tillë do të mbetet. Garancia për këtë, thuhej në apel, janë armët tona, është ushtria e shenjtë, është gjaku i derdhur për liri në tërë Kosovën”.
Përkundër këtij apeli, rreth 5000 kaçanikas e kaluan kufirin ilegalisht për t’u vendosur në oborrin e shkollës në Bllacë të Epërm. Duhet theksuar se numri më i madh i tyre ishin pleq, gra e fëmijë, të cilët në ato ditë të ftohta, ku pati edhe borë, qëndronin në hapësirë të hapur. Përkundër dëshirës së madhe të bllacjanëve, për t’i strehuar nëpër shtëpitë e tyre, atë nuk e lejonte policia maqedonase, e cila këmbëngulte që ata paraprakisht të evidentoheshin. Kjo situatë e trishtueshme zgjati deri në mbrëmjen e datës 9 mars, kur pas një mbledhjeje maratonike që u mbajt midis aktivistëve të PDSH-së me komandantin e stacionit të policisë së Mirkovcit, një shovinist i përbetuar që i përkiste nacionalitetit serb, u vendos që në vend të policisë, evidentimin e të dëbuarve ta bënin aktivistët e PDSH-së dhe të organizatave humanitare “El Hilal”, “Kalliri i Mirsisë” dhe “Merhamet”. Rrjedhimisht, filloi paralelisht evidentimi dhe transportimi i tyre me traktor nga Bllaca e Epërme në Bllacën e Poshtme, ku në mënyrë vullnetare ishin vendosur mbi 30 furgona dhe autobusë, dhe deri në orët e hershme të mëngjesit u arrit që mbi 5000 refugjatë të strehoheshin nëpër shtëpitë e shqiptarëve, kryesisht në fshatrat e Karshiakës së Shkupit, si në Studeniçan, Batincë, Maranë, Çiflik, Satapektë, Patishka Rekë, por edhe brenda lagjeve shqiptare të Shkupit: Seravë, Gazibabë, Dizhon etj. Është e rëndësishme të theksohet fakti se në mbledhjen e mësipërme, përveç aktivistëve, morën pjesë edhe dy deputetët e PDSH-së, Nazmi Kadriu dhe Fatmir Etemi si dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, dr. Muharrem Nexhipi dhe ministri i Pushtetit Lokal, Xhevdet Nasufi. Ky i fundit, pas një debati të gjatë dhe të acaruar midis aktivistëve të PDSH-së dhe policisë maqedonase, komandantit të policisë iu drejtua me fjalët: “komandant, mua nuk më intereson çështja formale, për mua më me rëndësi është që këtyre njerëzve tua shpëtojmë jetën. Andaj, kërkoj që brenda dy orëve këtë turmë të mos e shoh të qëndroj këtu”. Pikërisht ky ultimatum i ministrit Nasufi, detyroi policinë maqedonase të lejoj që evidentimin e të dëbuarve ta kryenin aktivistët e PDSH-së dhe të shoqatave humanitare.
(vijon nesër)