Ekspertët alarmojnë: nga rritja e çmimit të naftës më së tepërmi do të goditet sektori bujqësor dhe ai i transportit, kurse në muajin në vijim pritet të kemi çmime më të larta të produkteve bujqësore. Këto shtrenjtime ndikojnë në taksat nga të cilat si çdoherë, më të prekurit do të jenë shtresat e varfra
Zejnulla VESELI
Shkup, 16 maj – Edhe pse shteti luan një rol thelbësor në kontrollimin e çmimeve në treg, gjatë 8 muajve të parë të Qeverisë aktuale duket qartë se institucionet shtetërore nuk duan t’ia dinë fare për lëvizjen e çmimeve që ndodhën kohët ë fundit. Rritja e çmimit të derivateve të naftës, sipas ekspertit ekonomik Besnik Fetai është taksa nga të cilat si çdo herë më të prekurit do të jenë shtresat e varfra, shkruan gazeta KOHA.
EFEKTET DOMINO
“Nëse vazhdohet me rritjen e çmimit të karburanteve edhe gjatë muajve në vijim atëherë me siguri se do të kemi ngritje të çmimeve të prodhimeve që kryesisht varen nga çmimi i naftës por mund të ketë lëvizje të spirales së inflacionit. Nga rritja e çmimit të naftës më së tepërmi do të goditet sektori bujqësor dhe ai transportues dhe pritet që në muajin në vijim të kemi çmime më të lartë të produkteve bujqësore, dhe mu për shkak të çmimit të lartë të naftës bujqit detyrohen të kultivojnë më pak prodhime dhe me cilësi më të dobët”, thotë për KOHA, Besnik Fetai, profesor i ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore.
Ndaj rritjes së çmimit të derivateve ka reaguar edhe partia opozitare VMRO-DPMNE duke fajësuar Qeverinë se “jetën për të gjithë” qytetarët e Maqedonisë po e paguajnë më çmime të larta për shkak të papërgjegjësisë fiskale, buxhetore dhe politikave ekonomike dhe kërkojnë nga Qeveria të heqin akcizës për derivatet e naftës. Sepse shteti është ai që më shumti fiton sepse me rritjen e akcizës në arkën shtetërore inkason më shumë se 35 denarë për një litër naftë apo benzinë. Rritja e çmimit të derivateve të naftës gjatë këtyre 8 muajve sa është në pushtet LSDM-ja dhe BDI-ja Vlatko Gjorçev deputeti i VMRO-DPMNE-së shprehet se edhe njëherë duket Qeveria aktuale nuk duan t’ia dinë fare për lëvizjen e çmimeve që ndodhën kohët ë fundit.
“Le të gjejnë një mënyrë tjetër se si ta mbushin buxhetin. Letë sjellin investitorë të huaj apo le të fillojnë ti bëjnë reale të gjitha premtimet e shumat të dhëna gjatë fushatës së zgjedhjeve të parakohshme që u premtuan qytetarëve të Maqedonisë “Jetë për të gjithë” ndërsa më këto çmime të larta të derivateve të naftës vetëm se e bëjnë jetën më të vështirë të qytetarëve që njëherësh kanë një impakt edhe më shpenzues për transportuesit, bujqit si dhe në tërësi për ekonominë e vendit”, thotë Gjorçev.
SI KA LËVIZUR ÇMIMI I DERIVATEVE TË NAFTËS
Dy vitet e fundit kemi rritje enorme të çmimit të naftës kur në vitin 2016 një lirë naftë në Maqedoni shitej për 43 denarë. Në janar të vitit 2017 çmimi i një litre naftë u rrit për 17 denarë apo 60 denarë për një litër naftë. Ndërkohë me rritjen e fundit të çmimit të naftës në muajin maj të këtij viti një litër naftë tani shitet për 64 denarë apo 73 denarë një litër benzinë. Sa për ilustrim nëse një litër naftë në vitin 2016 blihej për 43 denarë atëkohë për 50 litre naftë qytetari paguante 2150 denarë ndërsa sot për sasinë e njëjtë apo 50 litra naftë paguan 3200 denarë gjegjësisht mbi 1000 denarë i shtohen harxhimet një kryefamiljari. Ndërkohë, të dhënat e fundit ët Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se pagat mujore të qytetarëve të Maqedonisë po zvogëlohen ndërsa shpenzimet për jetë po rriten. Rroga mesatare në muajin mars ishte më e vogël për 867 denarë krahasuar me muajin shkurt apo për 3 për qind ulje të pagës mesatare që do të thotë se qytetarët jetojnë shumë më keq se para një viti. (koha.mk)