Shkup, 19 shkurt – Danimarka për kohë të shpejtë do ta ratifikojë protokollin për anëtarësim në NATO, tha ministrja daneze e Emigracionit, Integrimit dhe Strehimit, Inger Stoiberg, në takimin e sotëm me minsitrin e obliguar për diasporën në Qeverinë e Republikës së Maqeodnisë së Veriut, Edmond Ademi, i cili gjendet për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Danimarkës, njofton Koha.
Siç kumtoi prej shërbimi qeveritar, në takimin ministri Ademi theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer bilateral ndërmjet dy shteteve, të cilat karakterizohen me miqësi dhe mirëkuptim. Ministri informoi bashkëbiseduesin e tij me arritjet e fundit të qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe gjithëpërfshirëse të bazuar në sundimin e ligjit dhe vlerave demokratike. Veçanërisht, elaboroi prioritetet e politikës së jashtme, duke theksuar vitin historik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku mes të tjerash u mbyll njëra ndër çështjet më të ndjeshme bilaterale me Greqinë, me çfarë dhe janë hequr të gjitha pengesat për anëtarësim e vendit në dy Aleancat më të mëdha, NATO dhe BE.
Ademi falënderoi Mbretërinë e Danimarkës për mbështetjen e vazhdueshme për integrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE dhe NATO, si dhe potencoi pritshmërinë se së shpejti do të bëhet ratifikimi i protokollit në Parlamentin danez, për anëtarësimin e RMV në NATO. Lidhur me integrimin në BE të Republikës së Maqedonisë, Ministri përcolli gatishmërinë e Qeverisë për të përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme për fillimin e procesit të negociatave me BE dhe theksoi se mbështetja nga Danimarka për të ardhmen evropiane të Maqedonisë është me rëndësi të jashtëzakonshme.
Ministrja Stojberg uroi Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për nënshkrimin e protokollit për anëtarësimit në NATO dhe rikonfirmoi mbështetjen e Danimarkës për realizimin e qëllimeve strategjike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe për procesin e reformave. Kështu, duke inkurajuar Qeverinë e Republikës së Maqedonisë që të vazhdojë me zbatimin e reformave kryesore me qëllim marrjen e datës për nisjen e negociatave me BE- në qershor.
Mes tjerash, ministrja Stojberg e konfirmoi bashkëpunimin e mirë midis dy vendeve dhe pohoi gatishmërinë e Danimarkës për shkëmbimin e mëtejshëm të përvojave dhe ndihmës në fokusin e stabilitetit dhe zbatimit të reformave prioritare për anëtarësimin në BE dhe theksoi se Danimarka së shpejti do ta ratifikojë dhe Protokollin për antarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.
Në takim u diskutua edhe për sfidat dhe integrimin e diasporës së Maqedonisë së Veriut në Danimarkë. Ministri Ademi theksoi se si ministër përgjegjës për diasporën, pret që në bashkëpunim me ministrin Stojberg dhe institucionet e tjera relevante të Danimarkës, të rrisë angazhimin dhe përfshirjen e diasporës sonë në proceset politike, ekonomike, kulturore dhe arsimore në Danimarkë, përmes kontakteve dhe aktiviteteve tona të përbashkëta në të ardhmen.
Të dy vendet shprehën gatishmërinë për të intensifikuar dhe promovuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat me interes të përbashkët. (koha.mk)