Shkup, 15 tetor – Të shtatë projeksionet për popullsinë në Republikën e Maqedonisë së Veriut deri në vitin 2070 nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) tregojnë për rënie të numrit të përgjithshëm të popullsisë në vend. Vëzhguar sipas varianteve të projeksionit, popullsia e vendit, nga 1.832.000 fillestarë në vitin 2022, në fund të periudhës së projeksionit do të shkonte nga 501.200 (variant konstant) në 1.485.700 (variant pa migrime). Nëse asgjë nuk ndryshon dhe mbeten parametrat nga viti 2022, popullsia totale deri në vitin 2070 do të ulet në 1.3 milionë banorë.
Projeksionet janë nën supozimin se nuk do të ketë luftëra në vend dhe rajon, do të ketë një situatë normale dhe të qëndrueshme politike të brendshme, në gjysmën e parë të viteve 2030 do të përfundojë procesi i asociimit në BE, do të të ketë zhvillim ekonomik dhe nuk do të ketë situata të mëdha shëndetësore.
Drejtori i ESHS-së, Apostol Simovski, theksoi se projeksionet e popullsisë paraqesin modelim të së ardhmes demografike, bazuar në supozimet për lëvizjen e mortalitetit, fertilitetit dhe migrimeve në periudhën e përcaktuar, pa përcaktuar probalitetin e realizimit të tyre. “Projeksionet janë vegël e politikëbërësve që do t’u ndihmojnë në marrjen e masave të duhura”, theksoi Simovski.
Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, në promovim tha se mosvetëdija për problemin është më shqetësuese sesa trendet negative demografike. “ESHS bazuar në rezultatet e regjistrimit 2021 përgatiti një projeksion sipas të cilit popullsia deri në vitin 2030 do të zvogëlohej në 1,3. Nga tre elementët kryesorë, shkalla e fertilitetit, mortalitetit dhe migrimit, i treti është më shqetësuesi. Së paku tani për ne më shqetësues është emigrimi, ndërsa jo shkalla e fertilitetit”, deklaroi Pendarovski.
Sipas shumicës, arsyeja më e madhe e emigrimit është korrupsioni, tha Pendarovski, duke theksuar se gjithnjë e më shumë njerëz emigrojnë jo për shkak të pagës së ulët, por për shkak të cilësisë së jetës. “Qëllimi i projeksioneve nuk është të na shtyjnë në apati, por të na vetëdijësojnë”, theksoi Pendarovski.
Sipas publikimit, vëzhguar sipas varianteve të projeksionit, popullsia e vendit, nga 1.832.000 fillestarë në vitin 2022, deri në fund të periudhës së projeksionit do të lëvizte në interval nga 501.200 (variant konstant) deri në 1.485.700 (variant pa migrime). “Kjo do të thotë se ruajtja e vlerave të komponentëve të lëvizjes së popullsisë në nivelin e vitit 2022 (një normë totale e fertilitetit prej 23 për qind nën atë që kërkohet për të zëvendësuar gjenerimin, për standardet evropiane një jetëgjatësi relativisht e shkurtër prej 76 vjetësh dhe një neto-emigracion shumë i lartë prej mbi 14 mijë njerëz në vit), do të çonte, deri në fund të periudhës së projeksionit, në një ulje të madhe të popullsisë prej 1,3 milion njerëz, tregon publikimi i ESHS-së.
Në të njëjtën kohë, realizimi i varianteve në të cilat supozohet mungesa e migrimeve të jashtme, me një rritje të moderuar të nivelit të fertilitetit, si dhe një ulje të vazhdueshme dhe relativisht intensive të vdekshmërisë, do të rezultonte në uljen e popullsisë për me “vetëm” 346 mijë persona ose me një të pestën (19 për qind) krahasuar me fillimin e periudhës së projektimit. Në pesë variantet e tjera, ndryshimet në intensitetin e rënies së popullsisë do të ishin më pak të theksuara, por gjithsesi, mjaft intensive. Sipas variantit të fertilitetit mesatar, rënia e përgjithshme do të ishte 35 për qind (nga 1,8 në 1,2 milion banorë).
Në të njëjtën kohë, realizimi i variantit të fertilitetit të lartë do të rezultonte në një rënie të popullsisë me 23 për qind (nga 1,8 në 1,4 milion). Duhet theksuar se vetëm sipas atij varianti rënia e popullsisë nuk do të ishte e vazhdueshme. Përkatësisht, duke supozuar një rritje relativisht të shpejtë të fertilitetit, i cili duke filluar nga viti 2034 do të stabilizohej në 2.03 fëmijë për grua, procesi i rënies së popullsisë mund të ndalet, por vetëm pas tre dekadash, domethënë duke filluar nga viti 2064. Kjo tregon kompleksitetin e situatës demografike në vend, e cila shihet më së miri përmes efekteve të bilancit negativ të migracionit dhe procesit shumë intensiv dhe të kaluar të plakjes së popullsisë.
Publikimi është i disponueshëm në linkun
https://www.stat.gov.mk/publikacii/2023/Proekcii_2070_al.pdf