Së paku 15 persona janë lënduar në protestat e sotme për shkak të mbledhjes së Qeverisë spanjolle në Barcelonë, kumtoi shërbimi rajonal i Ndihmës së shpejtë.
Situata në Katalonjë sot ishte e tensionuar, me përleshje mes separatistëve radikalë dhe policisë. Mbledhja e Qeverisë spanjolle u mbajt me sigurim të fuqishëm policor, të cilin separatistët katalonas e vlerësuan si “provokim”.
Policët spanjollë nga autostradat tërhiqnin demonstrues të cilët protestonin kundër vizitës së kryeministrit Pedro Sançez. Dhjetëra demonstrues, prej të cilëve disa mbanin jelekë të verdhë, sipas shembullit të “jelekverdhëve” francezë u ulën në autostradën AP7, e cila kalon përgjatë bregut mesdhetar, duke u mbajtur për duar, të ngritura në ajër. Policia intervenuese i tërhoqi nga autostrada. Gjatë protestës u bllokuan rreth 40 rrugë.
Një person është arrestuar në qendër të Barcelonës me material i cili mund të shfrytëzohej për përpunimin e mjetit shpërthyes. Gjithsejt gjashtë persona u arrestuan, për incidente të ndërlidhura me dhunën.
Rreth njëzet organizata separatiste, përfshirë edhe Asamblenë nacionale të Katalonjës, e cila viteve të fundit organizoi disa tubime për pavarësi, bënë thirrje për demonstrata të mëdha në qendër të Barcelonës sonte, në orën 18:00 sipas kohës lokale.