Shkup, 13 shkurt – “Radio je ti” është motoja me të cilën shënohet dita Botërore e Radios. Ky medium, i cili në vet themelimin e tij është përdorur si mjet komunikimi mes anijeve gjatë luftërave të ndryshme, gjatë shekullit XX, radioja u bë mjet informimi, argëtimi për miliona njerëz në mbarë botës.
Pikërisht shënimi i kësaj dite ka për qëllim të kujtojë fuqinë unike të këtij mediumi në funksion të promovimit të qasjes në informacion dhe të lirisë së shprehjes. Kryeredaktori i radio “Shkupi”, Haki Mustafa, theksoi se krahas shumë teknologjive tjera inovative, radio mbetet si media më e shpejtë dhe më e përdorur, pasi ajo mund të dëgjohet kudo, edhe në vende ku televizioni nuk ka qasje.
“Kur u hap edhe televizioni menduan se radio do të shkojë në histori, sepse ajo e zëvendësoi edhe me fotografi edhe me zë, por sot e atë ditë radioja luan një rol të rëndësishëm, sepse ajo mund të përdoret në çdo vend, gjatë udhëtimeve, në mal, domethënë që nuk ka kontakt me fotografi, mirëpo zëri depërton më shpejt edhe se telefoni edhe se mjetet tjera, dhe sot e asaj dite radio është një mjet më i shpejtë në botë edhe para internetit”,- u shpreh kryeredaktori i radio “Shkupi”, Haki Mustafa.
Mustafa tha se në Amerikë dhe Evropë radio ende ka një rol të madh në shoqëri, ndërsa dëgjueshmëria e radios viteve të fundit po kthehet edhe në vendet e Ballkanit. Data 13 shkurt është dita kur është themeluar radioja e Kombeve të Bashkuara në vitin 1946.
Për herë të parë Dita Botërore e Radios është shënuar më 13 shkurt të vitit 2012 dhe tashmë është festë e përvitshme. /tvm2/