Omer XHAFERI
Shkup, 30 janar – Përkundër faktit se femrat janë viktimat më të shpeshta të trafikimit me njerëz në nivel botëror, të dhënat e fundit që i ka publikuar zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara tregojnë se gjatë dhjetë viteve të fundit është shtuar numri i meshkujve që kanë rënë pre e tregtisë me njerëz. Krahas këtyre informacioneve, shkruan gazeta KOHA, fakti më shqetësues që është përfshirë në raportin e kësaj organizatë thotë se rreth 28 për qind e viktimave të trafikuara janë fëmijë apo dy të tretat e numrit të përgjithshëm të viktimave të identifikuara janë persona nën 18 vjet. Kur përmendet trafikimi me qenie njerëzorë për Maqedoninë, në këtë analizë e cila publikohet çdo të dytin vit, potencohet angazhimi i vajzave nga vendi dhe rajoni për punë në kafe bare. Për të ndërprerë rrjetin e trafikimit me njerëz, institucionet e vendit shpesh herë kanë realizuar bastisje në lokalet kryesisht në Maqedoninë Perëndimore dhe më gjerë. Në raportin OKB-së përshkruhet edhe një prej rasteve që ka ndodhur në njërën prej kafeneve në Maqedoni. “Shtetas etnik shqiptar me shtetësi të Maqedonisë kanë rekrutuar dy vajza shqiptare – njëra nga Kosova e tjetra ka Shqipëria, me qëllim punësimin në një kafene, respektivisht kryerjen e veprimtarisë së dyanshme – në këtë rast realizimin e detyrave të punës dhe ofrimin e shërbimeve seksuale”, thuhet në raportin e OKB-së, transmeton KOHA. Nga ana tjetër, kur pikturohet profili i personave që merren me këto punë, në Raport theksohet se kryesisht bëhet fjalë për burra, vendas të cilët për organet e policisë njihen për vepra të ndryshme penale. Më konkretisht, në Raportin e OKB-së thuhet se në rajonin e Evropës Qendrore dhe asaj Juglindore, 70 për qind prej personave të arrestuar apo të dyshuar për kryerjen e trafikimit me njerëz janë meshkuj. Sipas tyre, në vendet si Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia rrallë mund të gjendet femër e cila merret me trafikimin e njerëzve, ku për dallim nga Lituania, përqindja më e lartë e personave që hetohen apo dënohen janë pikërisht femrat.
Pjesë tjetër e këtij Raporti janë edhe aktgjykimet në nivel vjetor që miratohen në shtetet e Ballkanit, ku Bullgari dhe Rumania e kryesojnë listën me nga 60 apo 100 persona të dënuar në vjet për shkak të trafikimit me njerëz. Mirëpo, siç thuhet në këtë analizë, numër relativisht i lartë i dënimeve gjyqësore lidhur me këtë fenomen ekziston si në Serbi, ashtu edhe në Maqedoni. Aksioni i fundit policor i realizuar në Maqedoni, që ka pas lidhje me trafikimin me njerëz, u kodua me emrin “Kokonia Alba”, i cili e përfshinte rajonin e Maqedonisë Perëndimore, ndërsa mbështetje për këtë aksion dhanë shumtë shtete nga Evropa, përfshi edhe agjencinë e sigurisë evropiane – EUROPOL. Në kuadër të këtij aksioni, u zbuluan mbi 100 emigrantë ilegal, mbi 20 kilogramë lëndë narkotike, si dhe shumë vajza të cilat kanë qenë të angazhuara për punë në kafe bare të ndryshme si këngëtare, punëtore apo edhe prostituta. Nga të dhënat e policisë së Maqedonisë thuhet se ky aksion u realizuan në 16 lokale në rajonin e Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, respektivisht tetë bastisje në Tetovë dhe po aq në Gostivar. Gjatë këtyre bastisjeve, në këto lokale u zbuluan 62 shtetase të Shqipërisë, tre serbe dhe një boshnjake. Njëherësh, policia zbuloi se 27 shtetas të Maqedonisë kanë punuar pa asnjë lloj sigurimi. Nga aksioni i lartpërmendur me përmasa botërore, organet e rendit të 52 shteteve arritën të arrestojnë rreth 314 persona, konfiskuan mbi dy ton lëndë narkotike kokainë, mbi 180 mijë euro para të gatshme, si dhe u zbuluan 745 emigrantë apo identifikuan mbi 500 viktima të trafikimit me njerëz.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.