Pas më shumë se një vit nga themelimi i tij, qeveria ka vendosur në seancën më të fundit që institucioni më i ri nacional i Tetovës, të vendoset brenda Qendrës, aty ku realizojnë veprimtaritë edhe institucione të tjera nacionale- përkohësisht prej shumë vitesh, si Teatri (që nga themelimi 2007), por edhe subjekte të tjera
Evis HALILI
Shkup, 9 maj – Qendrës së Kulturës në Tetovë do t’i shtohet edhe një institucion tjetër nacional – Ansambli muzikor. Pas më shumë se një vit nga themelimi i tij, qeveria ka vendosur në seancën më të fundit që institucioni të vendoset brenda Qendrës, ku që nga viti 2007 është vendos përkohësisht Teatri Kombëtar. Deri tani edhe Ansambli ka funksionuar përkohësisht brenda qendrës ku disa ditë më parë u prezantua me koncertin e parë gala. Drejtori Jeton Pustina shprehet se për momentin ky vendim është një zgjidhje e duhur, deri atëherë kur Ansambli do të zgjerohet.
“Vendosja jonë këtu me vendim qeverie është një zgjidhje e mirë. Mund të funksionojmë kështu, por është e kuptueshme që kur çdo institucion rritet, kur përveç korit do të kemi edhe orkestrën nevojat do të jenë për hapësira më të mëdha”, thotë Pustina. Veprimtaria kryesore e këtij institucioni është përgatitja dhe prezantimi skenik i veprave muzikore të muzikës klasike, xhаz, vokale dhe vokalo – instrumentale.
“Qeveria ka miratuar Vendimin me të cilin Ansambli i Muzikës – Tetovë përfiton ambiente për punë, në shfrytëzim të përhershëm, pa pagesë, objekti i vendosur në rr. “Tetova” pn, pronë e RMV”, thuhet në njoftim. Ndërkohë që qeveria po ashtu idhur me vendosjen e institucionit nacional Galeria Gostivar, themeluar me vendim të Qeverisë vitin e kaluar (mars 2023) ka ngarkuar Ministrinë e Kulturës që të shqyrtojë dokumentacionin ekzistues të dërguar nga ky institucion në mënyrë që të japë një propozim – zgjidhje në lidhje me vendosjen e tij të përhershëm. Ky institucion, sipas aktit të themelimit është parashikuar që të kryehë veprimtari muzeale – hulumtime, mbledhje dhe përpunime profesionale shkencore, hartimin dhe prezantimin e materialeve muzeore dhe afirmimin e krijimtarisë artistike të rajonit të Pollogut, me qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore të kësaj zone. “Themelimi i institucionit kombëtar “Galeria e Gostivarit” – Gostivar, paraqet një hap të rëndësishëm për realizimin e Strategjisë Kombëtare për zhvillimin e kulturës, me qëllim të zhvillimit kulturor demokratik, të lirë, dinamik, të balancuar dhe të qëndrueshëm”, thuhet në vendimin e një viti më parë.
Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska gjatë vizitës së fundit në Gostivar (nëntor 2023) njoftoi se do të vazhdojnë investimet në objektet e destinuara për aktivitete kulturore, mes të tjerash përmirësimin e kushteve në Qendrën e Kulturës të qytetit, problemin me ngrohjen e objektit. Ashtu si edhe në Tetovë, Brenda Qendrës funksionon përkohësisht që nga themelimi një tjetër isntitucion – Teatri i Gostivarit. “Nëse ndonjëherë në të ardhmen do të krijohen kushte për objekt të veçantë për institucionin e Teatrit Kombëtar të Gostivarit, sigurisht që do të jetë opsion”, deklaroi ministrja. Teatri i Gostivarit u themelua në vitin 2018. (koha.mk)