Skënderbeu iu është rikthyer dje përgatitjeve në Korçë. Një analizë e shkurtër nga trajneri Ilir Daja dhe më pas kuqebardhët i janë drejtuar fushës së stërvitjes, duke nisur zyrtarisht përgatitjet për ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Mladá Boleslav, në Ligën e Europës. Mbrëmjen e djeshme ka qenë i ftuar në “Rubrika Sportive” në RTSH drejtori sportiv i Skënderbeut, Haris Fakiç, ku ka folur për merkaton, planet e klubit juglindor dhe të ardhmen e disa lojtarëve, të cilët janë lakuar në media javën e fundit. Në lidhje me Liridon Latifin dhe Enea Koliçin, ai ka nënvizuar:
“Kjo e Latifit është një çështje e nxehtë, sepse janë bërë lëvizje të hershme dhe të gjithë presin që ai të ndërrojë skuadër. Por, nuk është edhe aq i thjeshtë si transferim. Shpresojmë që të vazhdojmë sa më larg në Europë, sepse, po siguruam grupet e “Europa League”, atëherë Latifi mund të qëndrojë me ne. Nëse nuk kalojmë deri këtu, atëherë shanset janë që Latifi të largohet. Sa i përket historisë së Koliçit, dua të nënvizoj se është një portier shumë i mirë, që ka bërë një kampion të shkëlqyer sezonin e kaluar. Jo vetëm ne, por edhe skuadra të tjera do të ishin të interesuara për të. Megjithatë, nuk është diçka e nxehtë për momentin si çështje”.
Disa fjalë sqaruese tha Fakiç edhe për lojtarin sulmues që duan ta huazojnë nga Kievo Verona: “Ali Soue është lojtari që duam të afrojmë në formë huazimi nga Kievo. E kemi ndjekur jo pak dhe e dimë se për çfarë futbollisti bëhet fjalë. A i ngjan historisë së Partizanit me Ekuban? Po, por në thelbin e punës është diçka ndryshe. E njëjta skuadër na jep në huazim një lojtar, pas rastit Ekuban. Të mërkurën duhet të vijë, duhet finalizuar marrëveshja me Kievon, pasi me lojtarin është kryer. Marrëveshja është huazim për 1 vit. Skënderbeu s’është vetëm një destinacion i përkohshëm. Nëse lojtari del ashtu siç e parashikojmë, mund të negociojmë edhe për t’ia blerë kartonin”.