Shkup, 16 nëntor – Gjashtë aksidente janë regjistruar dje në Shkup, me ç’rast është lënduar rëndë një pasagjer, ndërsa edhe tre janë lënduar më lehtë, shkruan sot gazeta KOHA. Në tre aksidente është shkaktuar dëm material. Me ndihmën e automjetit special “karrotreci”, gjatë ditës së djeshme janë larguar 87 automjete, të cilat në masë të madhe e kanë penguar zhvillimin normal të komunikacionit motorik dhe këmbësorik. Siç njoftuan për MIA-n nga SPB – Shkup, policia rrugore ka sanksionuar dy drejtues të cilët e kanë drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit dhe janë përjashtuar nga komunikacioni, dy nuk u kanë dhënë përparësi kalimi këmbësorëve në vendkalimin e shënuar për këmbësorë, shtatë nuk e kanë përdorur rripin e sigurisë ose kanë përdorur telefonin celular, si dhe 17 nuk i kanë respektuar kufizimet, ndalesat dhe obligimet për shenjën e vendosur të komunikacionit. Janë hasur edhe 58 automjete të cilat nuk janë parkuar sipas rregullave dhe gjashtë këmbësorë të cilët kanë kaluar jashtë vendkalimit të shënuar për këmbësorë, gjegjësisht kanë kaluar në semafor të kuq. Në qendrën sportive “Jane Sandanski”, sonte në orën 19 në kuadër të xhiros së 6-të të Euro kupës, do të zhvillohet ndeshje ndërkombëtare në basketboll midis klubeve të basketbollit MZT – Aerodrom dhe Lietkabelis. Me qëllim të zhvillimit të papenguar dhe të sigurt të ndeshjes policia rrugore do të ndërmarrë masa përkatëse për sigurimin e komunikacionit.