Deklarata e partive politike shqiptare (pa PDSH-në) është ideuar dhe shkruar në Shkup, por e shpalosur dhe e dakordësuar në Tiranë. Ky dokument politik i është produkt i vetë shqiptarëve të Maqedonisë, sepse problematikat që ngrihen aty janë shqetësime të tyre. Kështu shkruan në profilin e tij në Facebook, gazetari dhe publicisti Emin Azemi, sipas të cilit, pas refuzimit të Ivanovit për t’ia dhënë mandatin Zaevit, liderët politikë shqiptarë të Maqedonisë që tani duhet të shpallin bojkotimin dhe braktisjen e të gjitha institucioneve shtetërore derisa të rivendosen kushtet për një kohezion normal social, kulturor e etnik në mes të shqiptarëve e maqedonasve. Gazeta KOHA ju sjell postimin e plotë të z.Azemi:
“Deklarata e partive politike shqiptare (pa PDSH-në) është ideuar dhe shkruar në Shkup, por e shpalosur dhe e dakordësuar në Tiranë. Ky dokument politik i është produkt i vetë shqiptarëve të Maqedonisë, sepse problematikat që ngrihen aty janë shqetësime të tyre. Pas refuzimit të Ivanovit për t’ia dhënë mandatin Zaevit, liderët politikë shqiptarë të Maqedonisë që tani duhet të shpallin bojkotimin dhe braktisjen e të gjitha institucioneve shtetërore, derisa të rivendosen kushtet për një kohezion normal social, kulturor e etnik në mes të shqiptarëve e maqedonasve. Loja e paskrupullt e Ivanovit dhe partisë së tij për të shantazhuar shqiptarët në mënyrë kaq bizare dhe nënçmuese, duhet të merr një përgjigje të duhur edhe nga Brukseli e Uashingtoni.
Serbia e Millosheviqit pati krijuar atmosferë të atillë që rezultonte në krijimin e një atmosfere militariste për dëbimin e shqiptarëve jo vetëm nga institucionet por edhe nga trojet e tyre. Dhe dihet pastaj se çka ndodhi në fund të nëntëdhjetave. A mundet edhe Maqedoninë ta pret një skenar i tillë?
Ivanovi dhe partia e tij duan shqiptarë argatë nëpër institucione, por jo shqiptarë që kanë ide politike. Madje ata duan që edhe gjuhën shqipe ta trajtojnë se gjuhë kurbetçinjësh, sa për një komunikim që do të lehtësonte shitjen e gjizës dhe patateve deri në mbrëmje kur edhe fillon ‘ora policore’ e Komitëve zullumqarë, të cilët bëjnë planifikimin e rrahjes dhe maltretimit të fëmijëve, grave e pleqve shqiptarë nëpër rrugë e autobusë. I vetmi kusht që ata i shpëton nga dajaku i komitëve është të mos flasin shqip publikisht. Atë që komitët po e bëjnë me stupc, Ivanovi dhe partia e tij po e bëjnë me grusht-shtete perfide. Në vitet 60-ta një maqedonas etnik nuk mund të pranohej polic në Tetovë po nuk e zotëronte shqipen. Tani, kanë ndryshuar kohërat. Janë do policë të rinj që duan institucione me shqiptarë, por pa identitet gjuhësor e kulturor. Alibia për të futur Tiranën në këto lojëra të qullura nga parafina e urrejtjes antishqiptare, nëse nuk pengohet sot, mund të lë gjurmët e krimit të planifikuar, që do ta spostonte konfliktin intraetnik brenda-maqedonas, në atë ndëretnik maqedono-shqiptar.
Ka edhe rrugë të tjera, por ato duhet të gjenden…”.