Fisnik NUHIU
Shkup, 10 shkurt – Xhenan Hajdari me futbollin për herë të parë u njoftua në moshën 13 vjeçare. Hapat e para i nisi te FK Varadari, e më pas duke kaluar vitet të luaj edhe për skuadrën e Sllogës, Ballkanit, Shkëndijës së Haraçinës si dhe Dritës nga Bogovina. Suksesi më i madh i Hajdarit si futbollistë është me ekipin e Ballkanit, pasi po më këtë skuadër arritën që të futen në ligën e dytë të ish-Jugosllavisë. Xhenani përveç që ishte një futbollistë profesionistë ai në të njejtën kohë ka ushtruar edhe detyrën e referit. Këtë ai e bëri pasi i ishin afruar vitet që të braktis futbollin, dhe dëshira e madhe që kishte në këtë sport, bëri që ai të bëhet gjyqtar i futbollit. Xhenan Hajdari në intervistën e dhënë për gazetën KOHA, tregon për historinë e tij si futbollistë dhe si refer.
KOHA: Kush është Xhenan Hajdari, mund të na bëni një përshkrim të shkurtër rreth jetës suaj?
HAJDARI: Karriera ime si futbollistë filloi diku në vitin 1981 kur isha në moshën 13-14 vjeçare. Hapat e para i mësova te klubi i FK Vardarit të Shkupit. Në Vardar ushtrova rreth një viti, ndërsa më pas bëra një pauzë të vogël. Mirëpo un nuk ndalova dhe përsëri vazhdova me futbollin pasi nuk mundsha pa këtë sport. Kësaj herë u regjistrova në skuadrën e Sllogës (tani Shkupi). Në fillim u inkuadrova të moshat e reja, ndërsa me kalimin e kohës u bëra pjesë edhe i ekipit të parë. Mirëpo, pasi zhvillova disa ndeshje me ekipin e parë mu desh që për një vit të braktis futbollin, pasi në atë kohë e kishim obligim të kryejmë ushtrinë. Pasi kreva ushtrinë përsëri u ktheva të Slloga ku luajta edhe për 2 vite tjera. Pas Sllogës vazhdova me ekipin Ballkanit ku luajta plot 4 vite. Pas Ballkanit vazhdova me skuadrën e Shkëndijës së Haraçinës e cila atë kohë nuk kishte konkurrencë në Ligën e Dytë. Ndërsa pas Shkëndijës u riktheva në Ballkan e pastaj për të vazhduar edhe te ekipi i Dritës.
KOHA: E përmendet se keni luajtur te Slloga, Ballkani, Shkëndija e Haraçinës, dhe Drita nga Bogovina. Ku keni kaluar momentet më të mira?
HAJDARI: Momentet më të mira si futbollistë i kalova te ekipi i Ballkanit. Pasi më këtë skuadër, do të thotë në ish-Jugosllavinë, arritëm që nga Liga Rajonale e Maqedonisë të ngjitemi në Ligën e Parë. Suksesi nuk ndaloi me këtë ekipi ku për një vit u inkuadruam edhe në Ligën e Dytë të ish-Jugosllavisë, ku garonin ekipe shumë të forta, si Prishtina, Buduçnost, OFK Beogradë, e shumë ekipe tjera. Mirëpo dua të ceki edhe periudhën me Shkëndijën e Haraçinës ku në vitin 1993 ishim një hap larg inkuadrimit në Ligën e Parë të Maqedonisë.
KOHA: Keni qenë pjesë e gjeneratës së artë te Shkëndija e Haraçinës. A mendon se po kjo gjeneratë e ka merituar Ligën e Parë?
HAJDARI: Ajo gjeneratë që ishim të Shkëndija nuk mendoj se mund të përsërit më. Kemi qenë një klub shumë i kompletuar, në ekipin kishim lojtarë që ndoshta sot është vështirë ti gjejmë, si Arben Nuhiu, Hevzi Aliu, Masar Omeragiç, portieri Xhemal Zekiri, Adnan Memedi, Besim Reçi, Amet Bushi, e shumë të tjerë. Në ato vite nuk garonim vetëm me ekipet e Ligës së Dytë, pasi në kishim kundër Federatën si dhe shtetin. Shumë herë kemi qenë një hap futjes në Ligën e Parë, po nuk u lejuam. Gjithmonë arrinin të gjejnë arsye nga Federata se klubi jonë nuk plotëson kushte për Ligën e Parë, kemi mungesë të stadiumit si dhe fushës për stërvitje. Un mendoj se nuk ishte problem stadiumi, por ata e din më mirë se un se pse nuk jemi lejuar të luajmë në Ligën e Parë të Maqedonisë. Është mëkat që Haraçinasit nuk e shikuan asnjëherë ekipin e tyre në Ligën e Parë. Ne si lojtarë gjithmonë kemi dhënë maksimumin dhe e kemi merituar këtë por ja që nuk na u lejua kjo gjë asnjëherë.
KOHA: Si kanë qenë kushtet më parë në dallim me tani?
HAJDARI: Në dallim me tani, atëherë kemi hasur në shumë vështirësi. E para shumë klube nuk ka patur stadiume të mira për të zhvilluar një ndeshje futbollit, mirëpo neve nuk kemi hasur asnjëherë në pengesë dhe kemi vazhduar me punën ton. Ndërsa, tani kushtet janë shumë më të mira se në atë kohë, kemi akademi të futbollit, reprezentacioni i Maqedonisë tani i ka fushat e veta ku futbollistët mund të afirmohen shumë më lehtë. Por kjo nuk do të thotë se është e mjaftueshme, shpresoj se në të ardhmen do të investohet edhe më shumë në të gjitha klubet që fëmijët të kenë stadiume ku mund që më lehtë të kryejnë stërvitjet.
KOHA: Deri sa ishit futbollistë, njëkohësisht keni qenë edhe refer i futbollit. Çka ju shtyu që të merreni me këtë profesion?
HAJDARI: Po është e vërtetë, isha në moshën 25 vjeçare kur fillova për herë të parë të ushtrojë detyrën e gjyqtar të ndeshjeve të futbollit. Në fillim nisa me moshat e reja pastaj në moshën 30 vjeçare fillova të drejtoj edhe ndeshjet e Ligës së tretë duke vazhduar në Ligën e dytë e më pas edhe në Ligën e Parë. Ketë e bëra pasi isha në fund të karrierës si futbollistë, ndërsa un isha i lidhur shumë me futbollin dhe dëshira ime ishte që të jem aktiv në këtë sport dhe vendosa që te jem refer. Ku përveç futbollit edhe si gjyqtar kamë pasur një karrierë shumë të mirë.
KOHA: E dimë se në shtetet e Beneluksit ( Belgjikë, Holandë dhe Luksemburg) mosha nuk paraqet problem për referim. Pse Maqedonia, ka vërë kufi për moshën e referit?
HAJDARI: Jo vetëm në Maqedoni, por edhe në shumë shtete tjera referët kanë të drejtë të drejton një ndeshje futbolli deri në moshën 45 vjeçare, pasi ky është një ligj që vendoset nga Federata e futbollit. Ndërsa në Angli, Belgjikë, Holandë dhe Luksemburg e disa vende tjera nuk e kanë të patjetërsueshme të dalin në pension në moshën 45 vjeçare. Federatat e tyre i lejojnë të ndajnë drejtësinë e një takimi diku deri në moshën 50 vjeçare.
KOHA: Mos vallë ne kemi futboll më cilësor dhe referët do ishin pika më e dobët e futbollit vendor nëse ata do ndanin drejtësinë edhe pas moshës 45 vjeçe?
HAJDARI: Problemi nuk qëndron të futbolli cilësor. Pasi edhe në referat kemi disa teste si me shkrim ashtu edhe fizike. Testohemi se a jemi në gjendje të vazhdojmë me referim. Dhe un mendoj se mosha 45 vjeçare është e mjaftueshme që referet të përfundojnë karrierën.
KOHA: Kemi mjaft rregulla të ndryshuara të lojës. Këto do risin cilësinë e lojës, apo futbolli po humb origjinalitetit e tij?
HAJDARI: Unë nuk pajtohem me këto ndryshme pasi rregullat e reja disi kanë humbur vlerën e futbollit. Edhe ne referat jemi njerëz dhe mund të gabojmë. Më e mira do të ishte të vazhdohet me metodën e vjetër dhe jo me teknologjinë. Ndërsa do të isha pajtuar vetëm me ketë të fundit “Goal line”, pasi kjo do t’ia bënë më të lehtë referit për të vendosur për ndonjë gol të dyshimtë.
KOHA: A duhet sipas jush që në të gjitha kampionatet të përdoret sistemi “VAR (Video assistant refferee)”, që t’i ndihmoj referët në marrjen e vendimeve?
HAJDARI: E ceka edhe më lartë, ky sistem do të ishte shumë i mirë që të përdoret në të gjitha kampionatit, pasi gjyqtari kryesore nuk do të kishte humbur shumë kohë duke u konsultuar me anësorin për ndonjë gol të dyshimtë. Dhe kjo do të ishte një vendim i mirë nëse në të ardhmen do ta përdorin të gjitha kampionatet.
KOHA: Si e vlerësoni nivelin momental të arbitrave të futbollit në Maqedoni?
HAJDARI: Do kisha thënë se për momentin është shumë i dobët. E them këtë pasi kohën e fundit nuk punohet shumë me referet këtu në Maqedoni. Nuk organizohen seminare si më parë, e normal që kjo e bënë edhe referimin më të dobët. Po shpresoj se shpejtë do të ndërmerren masa dhe kjo gjë do të ndryshoj.
KOHA: Ndeshja më e vështirë që keni referuar?
HAJDARI: Për mua si refer nuk ka qenë vetëm një ndeshje e vështirë ka patur plotë të tilla. Mirëpo do kisha cekur një takim mes Renovës – Pelisterit, un isha anësor i parë. Në një moment të takimit gjyqtari kryesor Vllatko Kiprianovski referoi faull për ekipin e Renovës, jashtë gjashtëmbëdhjetëshit, ndërsa unë në atë moment vrapova u futa në fushë dhe informova kolegun se dënimi ishte brenda dhe ishte penallti. Ndërsa kolegu im përmirësoi gabimin dhe Renova mori penalti dhe me atë gol fitoi edhe ndeshjen. Pas përfundimit të takimi kontrollori kryesor i ndeshjes Lupço Mojsovki, e vlerësoi me notë maksimale ndërhyrjen time. Dua të cek se pas asaj ndërhyrje që bëra un gazeta sportive këtu në Maqedoni “Makedonski Sport”, doli edhe me titullin “Од кога помошникот покажува пенал”, (prej kur referi ndihmës tregon penallti). Miërpo kjo mua nuk më pengoi pasi veprova drejtë.
KOHA: A keni referuar në ndonjë ndeshje ndërkombëtare?
HAJDARI: Po, kam referuar vetëm në një ndeshje ndërkombëtare, ku ka luajtur reprezentacioni i Maqedonisë dhe Gjermanisë U 18.
KOHA: Cili është gabimi më i madh që keni bërë si refer?
HAJDARI: Kam referuar plotë 20 vite ndërsa asnjëherë nuk kam gabur rëndë që do ti kushtonte ndonjë ekipit 3 pikët apo titull.
KOHA: Nëse ju do të pyeteshit, çka kishit ndryshuar te referimi në Maqedoni?
HAJDARI: Ndryshimi i vetëm që do të kisha bërë në referimin e Maqedonisë, do të ishte që referat të kenë lidhjen e vetë, e jo të jenë të varur nga Federata.
KOHA: Me çka po merret tani Xhenani?
HAJDARI: Për momentin jam i punësuar në bankën “Stopanska Banka”, si referent. Po ashtu jam edhe vëzhgues (kontrollor) i Ligës së tretë futbollistike si dhe për grupmoshat e reja.
KOHA: Jeni prind. Me çka merren fëmijët tu?
HAJDARI: Jam baba i tre fëmijëve, Anesës, Ismetit dhe Irmës. Vajzat për momentin merren me atletikë ku janë anëtarë të KA Liria nga Saraji. Po ashtu do të kisha cekur se vajza e vogël Irma është një talente e madhe në futboll, ku një kohë edhe është stërvitur, por për arsye të kushteve të futbollit femëror në vendin tonë ka vendosur që të vazhdojë me atletikë. Po ashtu edhe djali merret me futboll dhe për momentin është anëtarë i akademisë së Vardarit.
KOHA: A u kishit apeluar të rinjve që të merren me këtë profesion (refer) dhe përveç entuziazmit a mund të jetë edhe fitimprurës?
HAJDARI: Po, do i kisha thënë se çdo profesion është mirë. I kisha thënë të rinjve shqiptar këtu në Maqedoni që të ushtrojnë këtë profesion, pasi më rregullat e fundit do ta kenë më letë të drejtojnë edhe në ndeshje ndërkombëtare. E atëherë do të kishin parë se çka do të thotë të gjykosh në një takim të madh evropian. Njëkohësisht edhe do të kishin fitime më të mëdha. Mirëpo kjo nuk do të thotë që të merresh vetëm me profesionin e gjyqtarit, pasi në të njëjtën kohë do të kishin mundësin edhe të punojnë ndonjë profesion tjetër.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.