Hamasi ka thënë përmes një komunikate për shtyp se ka arritur të marrë peng disa ushtarë izraelitë gjatë luftimeve në Rripin e Gazës.
Izraeli gjithsesi ka qenë i menjëhershëm në mohimin e këtyre pretendimeve. Por, grupimi militant nuk ka ngurruar edhe të publikojë një video, ku tregohet një ushtar izraelit, i cili po tërhiqet zvarrë nga militantët e Hamasit në një tunel dhe gjithashtu ka publikuar disa fotografi të veshjeve ushtarake dhe armëve izraelite.
Në një deklaratë të rrallë të regjistruar vonë natën e publikuar në kanalin Telegram të grupit, Abu Ubaida, zëdhënës i Brigadave Qassam, tha se luftëtarët e Hamasit ishin përleshur me një forcë izraelite në Rripin verior të Gazës pranë një hyrje tuneli në kampin e refugjatëve Jabalia.
Ai tha se të gjithë anëtarët e forcës izraelite mbetën ose “të vdekur, të plagosur ose të kapur”.
Ai nuk tha se sa u kapën dhe nëse ishin të vdekur apo të gjallë.
Al Jazeera Arabic më pas publikoi edhe videon, e cila dyshohet se konfirmon incidentin.
Në një deklaratë paralele, Ushtria izraelite mohoi pretendimet e Qassam, duke thënë: “Nuk ka asnjë incident në të cilin një ushtar është rrëmbyer”.