Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka kujtuar ndërhyrjen e NATO-s 25 vjet më parë në luftën e Kosovës, kur forcat aleate bombarduan Serbinë dhe i dhanë lirinë popullit kosovar nga zgjedhja e Slobodan Millosheviçit.
Përmes një publikimi në X- ish-Twitter, Hasani shkruan se 25 vjet më parë, ndërhyrja e NATO-s ishte vendimtare në zhbërjen e ambicieve gjenocidale të Millosheviçit kundër popullsisë shqiptare në Kosovë.
“Sot, Kosova e pavarur dhe sovrane, është dëshmi e rezistencës së popullit të saj dhe sakrificave të bëra nga luftëtarët e lirisë. Me vendosmëri, Kosova ka evoluar në një demokraci funksionale, që synon integrimin e plotë në familjen euro-atlantike”, përmend Hasani.
Një mesazh lidhur me ngjarjet e ka dhënë edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili ka thënë se pikërisht ajo ndërhyrje e NATO-s, i dha lirinë dhe pavarësinë më tej Kosovës.
Përmes një publikimi në X, ish-Twitter, Begaj shkruan se NATO-ja ndërhyri për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë dhe sot përkujtohet kjo ngjarje me rëndësi historike për Kosovën dhe gjithë shqiptarët.
“Ndërhyrja e NATO-s sipas kreut të shtetit, e udhëhequr nga SHBA-të, i dha të drejtë kauzës së popullit të Kosovës dhe përpjekjeve për liri e pavarësi.
“Në sajë të kësaj ndërhyrjeje, u mundësua më pas pavarësimi dhe krijimi i Republikës së Kosovës, një histori suksesi e shtetndërtimit demokratik”, shkruan presidenti.
Në mbyllje ndërkaq, ai reflekton se prania e NATO-s në Kosovë sot, përmes KFOR-it, vijon të luajë rol të rëndësishëm për sigurinë në rajon.
“Sot përkujtojmë sakrificat e kombit shqiptar, luftën heroike të UÇK-së dhe viktimat e luftës në Kosovë. Nder përjetë heronjve të kombit!”, përmbyll ai.