Përvjetori i 75-ë i Aleancës së NATO-s shënon një çast të rëndësishëm historik dhe për ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, organizata qëndron si garantuese e palëkundur e sigurisë kolektive globale sot.
Përmes një videomesazhi nga Brukseli, ku edhe po mbahet ministeriali i NATO-s, Hasani jep një mesazh për rëndësinë që paraqet ky vit, për shkak edhe të 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në organizatën ushtarake më të madhe në botë.
“75 vitet e fundit janë një dëshmi e fuqisë dhe dhe qëndrueshmërisë së NATO-s. Aleanca jonë është përshtatur vazhdimisht me ndryshimin e peizazheve gjeopolitike, duke shfaqur qëndrueshmëri dhe fleksibilitet”, parashtroi Hasani në fjalën e tij.
Më tej, përmend faktin se Aleanca është forcuar edhe së fundmi, me shtimin e Suedisë dhe Finlandës në radhët e organizatës, ku NATO sot qëndron si një garantues i palëkundur i sigurisë kolektive për të gjithë aleatët e saj, e gatshme të qëndrojë e tillë edhe për shumë dekada të tjera.
“Përballë agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe përshkallëzimit të kërcënimeve globale të sigurisë, rëndësia e NATO-s nuk ka qenë kurrë më e theksuar sa sot”, vijon më tej kryediplomati shqiptar.
Ai shton se për Shqipërinë, data 1 Prill 2009, shënon një moment kyç në historinë tonë dhe një afirmim të aspiratave për të krijuar një shtet modern demokratik.
“Anëtarësimi në NATO për ne nuk ishte thjesht për të përfituar siguri; ishte gjithashtu për rrënjosjen e vendit tonë mes familjes demokratike, perëndimore të kombeve”, përmend.
Teksa, në vitet që pasuan, ravijëzon se Shqipëria ka bërë maksimumin për të kontribuar në Aleancë, duke luajtur një rol të rëndësishëm, proaktiv në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit dhe duke kontribuar në misione dhe operacione në të gjithë globin.
“Teksa përkujtojmë këtë moment historik, ne do të vazhdojmë kontributet tona për Aleancën tonë me të njëjtin përkushtim dhe entuziazëm të palëkundur që kemi treguar që nga dita e parë, në kërkim të paqes, sigurisë dhe prosperitetit”, e përmbyll ai fjalën.