Hetimet e FBI-së mbi ndërhyrjen ruse në presidencialet amerikane të nëntorit po thellohen gjithmonë e më shumë, duke përfshirë së fundi edhe vetë dhëndrin e presidentit Donald Trump, Jared Kushner. “Washington Post” thotë se këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë është vënë në fokusin e Byrosë Federale të Hetimit për shkak të takimeve të zhvilluara vitin e kaluar me ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara, Sergei Kislyak dhe një bankier nga Moska, Sergei Gorkov. Kushner, nga sa raporton gazeta prestigjioze, nuk është domosdoshmërisht i dyshuar për ndonjë shkelje, por mund të ketë informacione të vlefshme mbi çështjen. Bashkëshorti i Ivanka Trump është zyrtari i vetëm deri tani nga Shtëpia e Bardhë i konsideruar si një person kyç në hetime. FBI-ja, disa komisione të Kongresit dhe një prokuror i posaçëm janë duke kryer hetime mbi dy pista: njëra mbi dyshimet se Rusia është përpjekur të ndikojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe tjetra se këshilltarë të Presidentit Trump mund të kenë pasur lidhje me zyrtarë rusë, të cilët kishin për qëllim të ndikonin zgjedhjet. Hetimi i lidhjeve me Rusinë ka marrë një vëmendje të shtuar dhe e ka vënë në qendër të sulmeve administratën e Presidentit Trump, që kur ai shkarkoi drejtorin e FBI-së, James Comey, më 10 maj. Ende nuk dihet nëse FBI-ja i ka kërkuar zotit Kushner të dorëzojë ndonjë dokument. Njëri prej avokatëve të tij, Jamie Gorelick, sqaroi përmes një deklarate se klienti i vet është plotësisht i gatshëm të bashkëpunojë me autoritetet.