Shkup, 14 nëntor – Prokuroria Speciale Publike (PSP) kërkoi paraburgim për Nikolla Gruevskin që në shkurt të vitit 2016 kur disa të tjerë nuk mundnin as emrin t’ia përmendin, ndërsa deri të enjten e kaluar aspak nuk tregonte shenja se nuk do të paraqitet në gjykatë, në mënyrë që të gjejmë arsye plus përse sërish duhej të kërkonim të vihet në paraburgim, porositi dje prokurorja e posaçme publike Katica Janeva.
“I akuzuari Gruevski, kundër të cilit zhvillohen katër procedura deri të enjten e kaluar, kur ishte i pranishëm në shtet, aspak nuk jepte shenja se nuk do të paraqitet në gjykatë, në mënyrë që të gjejmë arsye plus përse sërish do të kërkonim të vihet në paraburgim. Sillej si qytetar i lirë, shkonte në punë si deputet në Kuvend, lajmërohej në të gjitha ftesat e seancave të caktuara për lëndë të ndryshme ku gjykohej, kështu që ne konsideruam se nuk ka nevojë në këtë moment të kërkojmë masë më të ashpër të sigurimit. Në të ardhmen konsideronim se me hetimet e tij të cilat do t’i hapim kundër tani të dënuarit, të akuzuarit dhe të dyshuarit se do të kërkojmë sërish Gjykata ta rihetojë vendimin lidhur me praninë e tij”, tha Janeva në edicionin e djeshëm të emisionit “Vetëm drejtësi” në 1TV.
Ajo theksoi se për herë të parë PSP ka kërkuar paraburgim për ish-kryeministrin më 12 shkurt të vitit 2016, e më pas edhe më 30 korrik të vitit 2017.
“Në pajtim me praktikën e deriatëhershme dhe të tanishme të Gjykatës për raste të korrupsionit të lartë, PSP kërkoi paraburgim për Gruevskin që më 12 shkurt të vitit 2016, kur e hapi hetimin e parë “Titanik” për parregullsitë zgjedhore. Nga ana e Gjykatës themelore Shkup 1 ishte refuzuar kërkesa jonë, ne parashtruam ankesë, e cila gjithashtu u refuzua, ndërkaq nuk kishte caktuar as masa mbrojtëse. Më pas me ngritjen e aktakuzave mes të cilave edhe për Nikolla Gruevskin për rastin “Titanik” më 30 korrik të vitit 2017 sërish kërkuam paraburgim dhe për të nga ana e Këshillit gjyqësor ishin casktuar masat për kujdes, përkatësisht paraqitje e të akuzuarit njëherë në javë në Gjykatën në Shkup dhe marrja e pasaportës”, sqaroi Janeva.
Theksoi se institucionet nuk duhet t’ia hedhin fajin njëri-tjetrit për ikjen e Gruevskit nga shteti dhe shtoi se janë shfrytëzuar të gjitha momentet dhe propozimet para Gjykatës që ai të jetë në paraburgim. Theksoi se pas ikjes do të kërkojnë ndarje për të gjitha procedurat e tjera të cilat zhvillohen kundër tij dhe shtoi se do ta dënojnë në mungesë.
“Shpresoj se shpejtë, me anë të rrugës diplomatike Gruevski do të kthehet prapa. Sonte është lëshuar fletë-arrest ndërkombëtar dhe pres të ekstradohet në afat sa më të shkurtë”, potencoi mbrëmë Janeva.