Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, që nënkupton instrumentin e ri financiar në vlerë prej 6 miliardë eurosh për të mbështetur reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon.
Miratimi nga Këshilli i Bashkimit Evropian erdhi pas miratimit të para dy javëve nga Parlamenti Evropian.
Vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat do të përfitojnë nga kjo ndihmë, duhet të kenë plane operative për reforma dhe t’i bashkërendojnë ato me Komisionin Evropian.
Siç është raportuar më herët në mesin e kritereve për të përfituar janë ato bazike, të cilat vlejnë njëlloj për të gjitha vendet anëtare. Ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, respektimin e parimeve të demokracisë, reformat institucionale dhe ndërmarrjen e hapave të domosdoshëm për të garantuar se mjetet nuk do të keqpërdoren.
Ndërkaq, po ashtu ka edhe kritere të natyrës politike.
Për Kosovën dhe Serbinë parakusht do të jetë angazhimi në dialog dhe normalizimi i raporteve.