Qerim LITA
Bullgaria, si aleate e Gjermanisë, përkundër faktit se nuk mori pjesë drejtpërsëdrejti në pushtimin e mbretërisë jugosllave (prill 1941), ishte tepër e interesuar të merr një pjesë të tokave të pushtuara, të cilat i konsideronte si toka bullgare, edhe pse në to pjesa më e madhe ishin krahina të pastra shqiptare. Nuk vonoi shumë, Gjermania lejoi që armata bullgare të futet brenda kufijve të pushtuara, e cila menjëherë ndërmori masa të dhunshme ndaj popullsisë shqiptare, duke lëshuar parulla në opinion se: “këto toka tash më janë bullgare dhe nuk do të durojë kombe tjera përveç atij bullgar”.
Nën pretekstin e kërkimit të armëve forcat ushtarako-policore bullgare në shumë fshatra shqiptare kryenin një terror të paparë, duke vrarë, rrahur, plaçkitur tërë popullsinë shqiptare, e cila në pamundësi që të mbrohet qe detyruar të tërhiqet në vende më të sigurta. Si rrjedhojë e situatës së re të krijuar në këto vise, me 19 prill të vitit 1941, në lokalet e Bojali Hanit në Shkup, mbahet një konferencë e krerëve shqiptarë me pjesëmarrje të: Shaban Efendiut nga Kumanova, Aqif Tetovës nga Gjilani, Shaip Mustafës nga Presheva, Jahja Osmani nga Kumanova, Abdulla Veliu nga Presheva, Hafëz Lutfi Ahmeti nga Presheva, Abdulla Sakipi nga Presheva me vendbanim në Shkup dhe Idriz Ymeri –Cërcëri nga Tetova. Pjesëmarrësit e konferencës vendosën të themelojnë një Lëvizje, e cila do të angazhohet që: “krahinat shqiptare të pushtuara nga okupatori bullgar të bashkohen me Shqipërinë etnike.” Me qëllim të realizimit sa më të shpejtë të këtyre aspiratave, pjesëmarrësit e kësaj konference formuan një delegacion, i cili do të udhëtojë për Tetovë, Gostivar, Dibër dhe Tiranë, për të biseduar me autoritetet e atjeshme shqiptare, përfshi këtu edhe krerët e Qeverisë së Shqipërisë. Delegacionit do t’i prijë Shaban Efendiu, ndërsa në delegacion merrnin pjesë: Abdulla Saqipi, Aqif Tetova dhe Idriz Ymeri-Cërcëri.
Përderisa delegacioni i LpBTSH (Lëvizja për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shqipërinë) qëndroi në Tiranë, krahas takimeve protokollare që patën me zyrtarët më të lartë të Qeverisë shqiptare, ata disa herë do të takohen edhe me Rexhep Stablen, një zyrtar i lartë i konsullatës shqiptare në Shkup, i cili në këtë kohë qëndronte në Tiranë. Në këto takime do të bisedohet për situatën e përgjithshme shqiptare, posaçërisht për territoret që ishin nën administrimin bullgar. Rreth kësaj çështje kanë ardhur në përfundim se nevojitet një aktivitet më i dendur, si nga ana e “LpBTSH” po ashtu edhe nga zyrtarët e konsullatës shqiptare në Shkup. Në kuadër të kësaj, ata gjithashtu janë pajtuar që aktiviteti i tyre të fokusohet në dy drejtime edhe atë: organizimi i popullsisë shqiptare si dhe zhvillimi i një fushate propaganduese, e cila fushatë do ta demaskojë tërë propagandën bullgare, pretendimet e së cilës nuk ishin vetëm marrjen e krahinave të: Shkupit, Kumanovës dhe Preshevës, por e tërë Maqedoninë perëndimore, Kosovën, madje edhe disa krahina të Shqipërisë londineze.
Menjëherë posa kthehet delegacioni në Shkup, respektivisht në “Bojali Han”, mbahet një mbledhje, ku krahas themeluesve të lëvizjes, marrin pjesë edhe shumë intelektual tjerë shqiptarë. Në mbledhje është vendosur që në Shkup të organizohen demonstrata mbarëkombëtare, në të cilat do të kërkohet që: “Shkupi, Kumanova, Presheva, Gjilani si qendra me shumicë shqiptare t’i bashkohen Shqipërisë.”
Për një organizim sa më të mirë në mbledhje u vendos që të ndërmerren aktivitete edhe nëpër qendra tjera shqiptare. Kështu Idriz Ymeri-Cërcëri, bashkërisht me Shaip Mustafën dhe Jahja Osmanin udhëtuan për Tetovë. Përderisa, këta mbanin një takim të rëndësishëm në shtëpinë e Shaip Kamberit, nga Tirana erdhi lajmi se Tetova do t’i bashkëngjitet Shqipërisë. Vendosja e administratës shqiptare në Tetovë i entuziazmoi edhe më shumë krerët e Lëvizjes, prandaj ata zhvilluan një aktivitet të dendur, sidomos ky aktivitet u vërejt në rajonet shqiptare ku administronte pushtuesi i egër fashistë bullgar. Në fshatrat e Karadakut, Dervenit, Karshiakës, Kaçanikut etj. madje edhe në qytetet e këtyre krahinave si: në Shkup, Kumanovë, Preshevë, Gjilan, Kaçanik, shqiptarët në mënyrë masive i hoqën fesat dhe kësulat e zeza, duke i zëvendësuar ato me plisat e bardhë. Krerët e “LpBTSH”, të cilët ishin shpërndarë nëpër të gjitha këto krahina kërkuan një unitet dhe vendosmëri, sepse “vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet deri te bashkimi mbarëkombëtarë”. Ky aktivitet u vërejt edhe nga policia bullgare, e cila njoftonte se: “..individ të përkatësisë nacionale shqiptare, të furnizuar me fletushka të hapura, i kanë vizituar qytetet më të mëdha në Maqedoni për të zhvilluar propagandë, gjatë së cilës me vete merrnin plisa të bardhë, të cilat i shpërndanin në mesin e popullsisë myslimane në qytetin e Shkupit dhe nëpër qytetet tjera më të mëdha..”
Rreth organizimit të këtyre demonstratave, Spiro Georgiev Kitinçev, kryetar i qytetit të Shkupit gjatë pushtimit bullgar, para organeve të OZNËS, thekson se ato janë organizuar nga paria e Shkupit, e cila sipas tij ndahej në tre grupe të veçanta edhe atë: “Udhëheqës i grupit të parë ishte Hasan Shukriu me Qemal Rustem Beun dhe Emin Jashari Kumbaraxhiun. Udhëheqës i grupit të dytë ishte Shefki Ramiz beu, ndërsa grupin e tretë e udhëhiqte Atulla Hoxha…” Ai më pas, shton se: “Të gjithë këta angazhoheshin që jo vetëm Tetova, Gostivari dhe qytetet tjera të okupuara nga italianët të jenë nën Shqipëri, por në të duhet të futet edhe Shkupi dhe qytetet tjera maqedonase. Për këtë qëllim, ata organizuan një manifestim para konsullatës italiane, ku demonstruesit mbanin plisa të bardhë”. Një deklaratë të ngjashme para organeve të UDB e paraqet edhe Hristo Stefanovi: “Qemal Rustem Beu, Rustem Rustemi dhe Atalla Hoxha me disa të tjerë ishin më aktivët në Shkup dhe kërkonin afrimin e turqve me shqiptarët, duke i përgatitur në aksion kundër bullgarëve dhe bashkimin e Shkupit me Shqipërinë”. Në anën tjetër, Hristo Stoillov, nëpunës i shërbimit sekret të policisë bullgare në Shkup, thekson se: “Said Idriz (Said Hoxha – Q.L.) ishte organizatori kryesor i manifestimeve shqiptarofilë në Shkup në vitin 1941 në muajin maj, kur u kërkua bashkimi i Shkupit me Shqipërinë”, që sipas tij, “kjo iniciativë erdhi nga Shqipëria.”
Në anën tjetër, policia bullgare fajësonte konsullatën italiane në Shkup se “qëndron pas këtij organizimi”, dhe se, siç thuhet në një dokument të lëshuar nga kjo polici: “nga hulumtimet e deritanishme lidhur me propagandën dhe kundërzbulimin italian në qytet është vërtetuar se më së shumti veprojnë: Hamit Kokolari – konsull për popullsinë shqiptare, i cili mbanë lidhje të shumta në mesin e shqiptarëve dhe Aldo Mortani – përkthyes pranë konsullatës, i cili është i lindur në Shkup dhe mban lidhje me të gjitha shtresat e shoqërisë. Të dytë e zbatojnë propagandën italiane në mesin e popullsisë lokale shqiptare, por ata shfrytëzojnë edhe një pjesë nga të tjerët..” Ajo çka më së shumti i brengoste autoritetet bullgare, ishte fakti se qyteti i Shkupit u mbush me plisa të bardhë, me çka përfundimisht demaskohej e tërë ajo propagandë e lansuar fillimisht nga klika hegjemoniste serbe, e më pas edhe ajo bullgare, se gjoja “shqiptarët në këtë qytet janë një minoritet i parëndësishëm” dhe se shumica e popullsisë myslimane “janë të përkatësisë nacionale turke”. Rreth kësaj në dokument më tej thuhej se: “Para okupimit të qytetit të Shkupit nga pushtetarët gjermanë, në qytet të gjithë turqit mbanin kësula nacionale – fes, ndërsa shqiptarët plis të bardhë. Pas vendosjes së pushtetit gjerman thuajse të gjithë i hoqën fesat, duke menduar se në Maqedoni do të vendoset pushteti gjerman dhe ai italian.” Ndër udhëheqësit kryesorë, siç thuhet në dokument, “të popullsisë turke (shqiptare-Q.L)”, dallohen, Atulla Hoxha, Shefki Ramizi etj, autoriteti i të cilëve është “shumë i lartë te popullsia turke (shqiptare –Q.L.). Sipas policisë bullgare: “gjatë kohës kur u realizua aksioni në qytetin e Shkupit nga ana e shqiptarëve, pjesëmarrje aktive mori edhe popullsia turke, e cila me urdhrin e Ramizit dhe Atulla Hoxhës etj., i gjuajtën fesat dhe i vendosën në kokë plisat e bardhë shqiptare dhe në këtë mënyrë e përforcuan aksionin politik të shqiptarëve dhe krijuan një pakënaqësi në mesin e popullsisë bullgare.”
Siç u tha më sipër del se demonstratat shqiptare në Shkup, të mbajtura me 10 maj 1941, për të cilat deri tash është folur shumë pak, madje disa theksojnë se këto janë organizuar në mënyrë spontane nga Shaip Mustafa, qenë të organizuara nga “Lëvizja për Bashkimin e Tokave Shqiptare”, në krye të së cilës qëndronin atdhetarët dhe intelektualët e dëshmuar shqiptar, si: Shaban Efendiu, Hafëz Lutvi Ahmeti, Shaip Mustafa, Jahja Osmani, Abdulla Veliu, Aqif Tetova, Idriz Ymer-Cërcëri, Shaip Kamberi, Xhafer Sulejmani, Atulla Hoxha, Said Hoxha, Hasan Shukriu, Qemal Rustem Beu, Emin Beu, Shefki Ramizi, Zenel Strazimiri, Bedri Efendiu, Nevzat Maksuti, Ismail Kaçaniku, Xhozef Shiroka, Rexhep Hadri, Pjetër Gigi e shumë e shumë atdhetarë tjerë, të cilët jo vetëm që u solidarizuan me kërkesat e Lëvizjes, por në mënyrë aktive vepruan në organizimin sa më të suksesshëm të demonstratave.
Atdhetarët në krye të lëvizjes
Në krye të “Lëvizja për Bashkimin e Tokave Shqiptare” qëndronin atdhetarët dhe intelektualët e dëshmuar shqiptar, si: Shaban Efendiu, Hafëz Lutvi Ahmeti, Shaip Mustafa, Jahja Osmani, Abdulla Veliu, Aqif Tetova, Idriz Ymer-Cërcëri, Shaip Kamberi, Xhafer Sulejmani, Atulla Hoxha, Said Hoxha, Hasan Shukriu, Qemal Rustem Beu, Emin Beu, Shefki Ramizi, Zenel Strazimiri, Bedri Efendiu, Nevzat Maksuti, Ismail Kaçaniku, Xhozef Shiroka, Rexhep Hadri, Pjetër Gigi e shumë e shumë atdhetarë tjerë, të cilët jo vetëm që u solidarizuan me kërkesat e Lëvizjes, por në mënyrë aktive vepruan në organizimin sa më të suksesshëm të demonstratave.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.