Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar demonstratat e marsit të vitit 1989, duke thënë se shqiptarët po kërkonin të drejtat e tyre.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti theksoi se më 27 dhe 28 mars të vitit 1989, policia e Serbisë i shtypi demonstratat paqësore të shqiptarëve gjithandej Kosovës, “ku vetëm gjatë atyre dy ditëve u vranë 25 demonstrues dhe u plagosën 603 të tjerë”.
“Ata po kërkonin të drejtat e tyre politike, duke e kundërshtuar shtypjen politike dhe instalimin e regjimit diskriminues dhe kriminal të Serbisë, që vetëm katër ditë më parë ia kishte suprimuar autonominë Kosovës. Në ditët që i pasuan këto demonstrata, 1200 demonstrues shqiptarë u burgosën pas gjyqesh politike”, shkroi Kurti.
“Mes kapitujve të historisë së shtypjes së shqiptarëve të Kosovës nga Serbia pushtuese dhe të rezistencës e kryengritjes së popullit të Kosovës për liri, sot i kujtojmë demonstratat popullore të vitit 1989, në 35-vjetorin e tyre”, shtoi.
Në fund, kryeministri përkujtojë të gjithë të rënët në demonstratat e vitit ’89.
“Lavdi të rënëve në demonstratat e vitit 1989 mes të rënëve në rrugën e gjatë të popullit të Kosovës për liri!”, përfundoi. (AP)