Debati në Kuvendin Republikan për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm nga dita e djeshme është kryetema e opinionit të vendit. Sipas Lëvizjes BESA, në të vërtetë, prokurori publik, Marko Zvërlevski, është shkarkuar shumë më herët, pra që me krijimin e Prokurorisë Speciale, kur siç e dimë deputetët e të gjitha grupeve parlamentare të përbërjes së kaluar votuan për krijimin e PSP-së dhe ashtu konstatuan përgjegjësinë e Prokurorisë së Përgjithshme edhe prokurorit Zvërlevski. “Prandaj kjo që ndodhë sot është vetëm çështje e moralit politik dhe profesional. Ajo që është irrituese dhe jo në nivel të një qeverie të përgjegjshme është arsyetimi që Qeveria e dha në Kuvendin Republikan për shkarkimin e kryeprokurorit Zvërlevski”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes BESA. Ndërkaq, thuhet më tej se sipas zëvendësministrit të Drejtësisë, për shkarkimin e Kryeprokurorit potencohen arsyet ligjore të përshkruara në Ligjin për Prokurorinë dhe disa raste ku vlerësohet se Prokurori i Përgjithshëm nuk ka vepruar ose ka vepruar në kundërshtim me ligjin ose për motive të tjera, siç është Banka e Maqedonisë, rasti AKVA, Masat e Posaçme Hetuese te kryeministri, ndjekja e kundërshtarëve politikë nga opozita e atëhershme, bisedat e përgjuara etj. “Të gjithë e dimë se viteve të fundit në Maqedoni janë zhvilluar procedura gjyqësore, që shqiptarët i konsiderojnë të montuara, që kanë përfunduar me vendime skandaloze, ku viktima kanë qenë kryesisht shqiptarët, siç janë Sopoti dhe Monstra, ndërsa pikërisht Prokuroria e Përgjithshme ka qenë protagoniste e procedurave gjyqësore kundër shqiptarëve. Megjithatë, asnjë nga këto nuk janë pjesë e arsyetimit të qeverise. Prandaj kjo vetvetiu e imponon pyetjen se a qëndron edhe kjo qeveri pas atyre vendimeve skandaloze të Prokurorisë së Përgjithshme ndaj shqiptarëve? Sikur Ministria e Drejtësisë të kishte qenë e vëmendshme, do të kishte mundësi t’i përmendë edhe rastet ku Prokuroria nuk ka vepruar konform kompetencave ligjore, siç ishin rrahjet që u ndodhin nxënësve dhe të rinjve shqiptarë rrugëve të Shkupit, por jo vetëm, e as rastet kur shqiptarët për pjesëmarrje në protestë u dënuan me disa vite burg”, thuhet në kumtesë.