Është liruar grupi i parë i pasagjerëve nga avioni libian i rrëmbyer. Lajmi bëhet i ditur nga Kryeministri i Maltës, i cili shkroi në Twitter se “grupi i parë i pasagjerëve, i përbërë nga gra dhe fëmijë po lirohet tani”. Një avion me 118 persona në bord u rrëmbye më herët gjatë ditës së sotme dhe u ul në Maltë. Dy janë rrëmbyesit të cilët kërcënuan për ta shpërthyer avionin e kompanisë libiane “Afriqiyah Airways”, Airbus 320. Kryeministri i Maltës, Joseph Muscat konfirmoi se avioni kishte 111 pasagjerë në bord, “82 meshkuj, 28 femra dhe 1 të mitur”, si dhe 7 anëtarë stafit. “Daily Mail” raportoi se dy rrëmbyesit dyshohet të ishin fanatikë të Presidentit të rrëzuar libian, Muammar Gaddafi, i cili u vra në Tetor 2011 pas dekadash në pushtet. Avioni ishte duke udhëtuar nga Sebha për në kryeqytetin libian Tripoli, por më pas u devijua për në Maltë nga dy persona, që besohet se ishin të armatosur me granata dore. Nuk dihen ende se cilat kanë qenë kërkesat e dy rrëmbyesve, ndërsa Ministri libian i Transportit deklaroi se kishin nisur negociatat me ta.