Urim HASIPI
Tetovë, 29 janar – Familja dyanëtarëshe Osmani nga fshati Veshallë jeton në një skamje të vërtetë. Nëna Hasija së bashku me vajzën Firixhan nuk kanë asnjë të ardhur, kurse para disa kohësh – përveçse u është ndalur ndihma sociale, atyre u është ndërprerë edhe rryma elektrike për shkak të borxhit ndaj EVN-së, shkruan gazeta KOHA. Nënë e bijë janë me të meta psiqike dhe jashtë rrjedhës së jetës normale. Që tragjedia të jetë më e madhe, ata në këtë periudhë kanë ngelur pa rrymë elektrike për shkak se borxhi i papaguar është 58 mijë denarë, mjete këto që kjo familje nuk mund t’i sigurojë.
“Nuk kemi rrymë, na kanë ndalur, kemi dru mjaft, por rrymë nuk kemi”, ishin fjalët e vetme që mund të shqiptonte Firixhan Osmani, banore e fshatit Veshallë. Ajo thotë se ushqim u sjellin fshatarët, por pa rrymë nuk mund të jetojnë normalisht për shkak të nevojave të tyre elementare. Banorët e këtij fshati konfirmojnë se nënë e bijë nuk janë në gjendje të mirë dhe krahas gjendjes sociale, ata poashtu janë edhe të sëmura dhe nuk kanë asnjë mundësi të paguajnë rrymën elektrike.
“Nuk është në rregull që të ndalet rryma elektrike për këtë familje. Këto dy anëtare të kësaj familje, siç e shihni – nuk janë në gjendje të mirë as shëndetësore e as mentale. Pra janë me të meta dhe nuk ka kush përkujdeset për këta dyja. Ata mund të tentojnë të ngrohen dhe mund të ndezet e tërë shtëpia. Kjo shtëpi është djegur më herët, sepse ata nuk mund të përkudjesen as për veten e tyre”, tha për KOHA, Daut Nurishi, imam i fshatit Veshallë. Kohë më parë, me iniciativën e fshatarëve dhe mërgimtarëve të fshatit Veshallë, u është rregulluar shtëpia dhe brendia, kurse banorët i ndihmojnë me ushqim dhe veshmbathje.
“Ne kemi një shoqatë me emrin ‘Veshalla’ e cila funksionon në Zvicër. Ajo shoqatë u ka ndihmuar që të rregullojnë banjon dhe disa rregullime brenda shtëpisë kësaj familje”, thotë imami Nurishi. Tashmë disa banorë kanë marrë iniciativë që të grumbullojnë mjete, por në ndërkohë presin ndihmë edhe nga institucionet tjera që të shlyhet borxhi dhe sërish në këtë familje të kthehen dritat. Nga EVN kanë thënë se janë të gatshëm që të ndihmojnë këtë familje.
“EVN Maqedoni si çdoherë është në shërbim të konsumatorëve. Ashtu si për raste të tjera, edhe këtë rast do ta trajtojmë duke ofruar ndihmë dhe mundësi të përshtatshme. Në lidhje me rastin e këtij konsumatori nga fshati Veshallë, informojmë se i njëjti është shpërngulur në objekt të ri dhe nuk ka parashtruar kërkesë për lidhje të re në rrjetin distributiv. Në lidhje me njehsorin e objektit të vjetër, ai ka borxh të caktuar për të cilin do të gjejmë mënyra për lehtësim të pagesës. Më pas, pas kërkesës së parashtruar, do të mund të bëjmë lidhjen në rrjet”, Vjosa Selimi zëdhënëse e EVN-së. (koha.mk)