Evis HALILI
Shkup, 14 gusht – Nëse ekspedita në Kalanë e Tetovës dështoi, pa arritur që gjurmimet të përmbushnin pritjet për gjetjen e artefakteve nga lashtësia, ajo mund të cilësohet si projekti i parë dhe i vetëm serioz për të hulumtuar në këto zona, shkruan gazeta KOHA. Harta e gërmimeve arkeologjike anashkaloi për vite me radhë të gjitha destinacionet e banuara me shqiptarë, duke lënë pa përgjigje pyetjet se ç’po ndodh me ato zbulime në shumë fshatra, si pllaka varri ilire në Rashçe e Forinë, Gradec…e të tjera, një pjesë prej të cilave aksidentalisht mund të vazhdojnë të ruhen në bodrume, ose thjesht mund të kenë humbur, dëmtuar, apo edhe shitur, nëse potencialet arkeologjike të këtyre zonave janë thjesht mite, apo të vërteta. Pak kohë më parë historiani Ekspertë të kësaj fushe, arkeologë e historianë pohojnë se për të hulumtuar, për të mbrojtur dhe ruajtur trashëgiminë duhet që të tejkalohen barrierat politike dhe të bëhen marrëveshje mes partnerëve që qeverisin shtetin. Rasti më flagrant është Qendra e Konservimit në Gostivar. E çelur gati dhjetë vjet më parë, me qëllimin për të restauruar, konservuar dhe hulumtuar zonën nuk arriti që të funksionojë sipas të gjitha përcaktimeve. Përvec restaurimeve dhe konservimeve të disa objekteve në qytet, nuk u zhvillua asnjë ekspeditë arkeologjike. Nuk u arrit as të ndërrohej statusi që kufizon gjeografikisht veprimtarinë e saj. Ish drejtori, Adnan Fejzullahu, i cili drejtori këtë institucion deri para pak ditësh, në përfundimin e mandatit të dytë, thotë se janë penguar për të realizuar ekspedita.
“Maqedonia lindore është gjendur në një ekspansion gërmimesh arkeologjike, rrënojat e artefaktet e gjetura mbi dhe nën tokë i kanë shërbyer politikës, ndërsa në pjesën perëndimore, sidomos në vendbanimet shqiptare jo vetëm që nuk janë bërë, por as që janë lejuar. Neve si qendër na janë refuzuar disa projekte radhazi për hulumtime në Gradec. Krijimi i kësaj Qendre ka paraparë gërmimet, por një hendikep ka qenë edhe kufizimi i saj, për të cilin nuk u ndryshua Ligji i Kulturës. Kam kërkuar që krahas komunës së Gostivarit të përfshihet edhe Vrapçishti, Mavrovë-Rostushë, por po ashtu nuk është aprovuar”, thotë për KOHA ish-drejtori, historiani Adnan Fejzullahu. Neglizhenca institucionale, indiferenca e shoqërisë në përgjithësi, por edhe rreziku nga “gërmuesit” e pavarur mund të sjellë dëmtimin e parikuperueshëm të kësaj pjesë të trashëgimisë materiale. Kështu shprehet arkeologia Narona Luma-Veseli, pjesë e ekspeditës arkeologjike në Kalanë e Shkupit.
“Pjesa perëndimore e Maqedonisë dhe shume lokalitete të tjera ku ka kultura te ndryshme duke përfshirë dhe ato iliro-dardane që nuk janë aspak të hulumtuara. Mund të përmend Orashën, Rashçen, Forinën, Kërçovën…, ku asnjë institucion nuk ka treguar asnjë pikë interesimi dhe që për fat të keq do të vazhdojnë të ngelin në harresë. Më e keqja në këtë situatë vjen fillimisht nga ato që gjithmonë ekzistojnë në arkeologji – gërmuesit e egër, të cilët i keqpërdorin artefaktet dhe gjetjet arkeologjike. Trashëgiminë po e rrezikon edhe më shumë mosinteresimi i shoqërisë dhe institucioneve, mungesa e kuadrove, që ndoshta mund të rrezikojë seriozisht edhe zhdukjen e asaj pjese kulture dhe historie që na takon neve si shqiptarë. Dhe prandaj abuzimi me faktet dhe shtrembërimin e historisë tonë do të vazhdojë ashtu si më parë”, thotë për KOHA Luma. Dëshmi sesi mund të keqpërdoren dhe keqinterpretohen artefaktet e gjetura arkeologjike është Kalaja e Shkupit. Të paktën kështu konstatojnë arkeologë e historianë arti maqedonas për interpretimet dhe ekspeditat e kryera pas viteve 50-të. Në fund të vitit të kaluar, ish drejtuesi i ekspeditës arkeologjike si pjesë e megaprojektit për revitalizimin e Kalasë gjatë periudhës 2007-2012, Dragi Mitrevski, në një botim të titulluar “Fortesa e Shkupit Kalaja” jep versionin e ri për ekspeditat e mëparshme dhe për gjetjet e reja. Sipas këtij libri në tentativa për të dhënë përgjigje shkencore, për shumë vjet me radhë në këtë zonë janë bërë masakra arkeologjike dhe janë dhënë shpjegime naive dhe antishkencore për të. Konstatimet e përmbledhura në këtë libër nuk janë komentuar deri tani nga asnjë historian, arkeolog, apo historian arti nga pjesa shqiptare, nëse ky libër hedh të vërteta, apo krijon mite të reja për Kalanë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.