Shkup, 14 shkurt – Unë nuk e fsheh dhe publikisht e kam thënë që opozita shqiptare dua të jetë pjesë e Qeverisë së VMRO-DPMNE-së. Këtu nuk ka asnjë dilemë. Por që kemi ndonjë marrëveshje, nuk kemi. Sepse, amerikanët kanë një deklaratë interesante që thonë “first in first”. Ejani fillimisht të mbarojmë punën e parë – detyrën e shtëpisë: të fitojmë zgjedhjet parlamentare dhe pastaj të vijmë te hapi i radhës, të bisedojmë se në çfarë ne mund të bashkëpunojmë dhe në çfarë baze do ta krijojmë koalicionin në Qeverinë e ardhshme. Por po, nuk e fsheh. Kështu në një intervistë ekskluzive për gazetën KOHA, thotë kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ndërsa thotë se BDI-në e vlerëson si subjekt politik që ka “harxhuar të gjitha mundësitë të tregojë se mund të bëj diçka dhe është mirë që të shkojë në opozitë për një periudhë të caktuar dhe të përjetojë katarzë të brendshme”
“E tani shikoni, nga ana e BDI-së, kjo (mbështetja) shfrytëzohet si një lloj vegle dhe thonë “shihni këta kaurët e VMRO-së bëjnë koalicion me opozitën shqiptare”. Kjo çfarë do të thotë? Do të thotë se ‘ne i mbrojmë të drejtat e shqiptarëve dhe ne e kemi të drejtën ekskluzive, ndërsa këta janë (opozita) tradhtarët’. Dhe kjo vjen si porosi e cila pas 20 vitesh në pushtet lëkundej në identitet duke anuar pak nga të gjelbrit, pastaj pak ekologji e pak kriminalitet dhe kështu me radhë, që në fund të jemi dëshmitarë që, i anatemuari Aleksandar Vuçiç hapur ta mbrojë Artanin dhe Aliun nga Albin Kurti. Para disa ditëve ishte kjo deklaratë, a po!”, thotë Mickoski.
Tani, vijon më tej ai, shtohet pyetja: Kush është këtu “kauri”?
“Kush është tradhtari e kush nuk është tradhtar? Ne nuk i bëjmë këto ndarje. Ne vlerësojmë se BDI si opsion politik i harxhoi të gjithë mundësitë të tregojë se mund të bëj diçka dhe është mirë që të shkojë në opozitë për një periudhë të caktuar dhe të përjetojë katarzë të brendshme, si kadrovike dhe programore dhe pastaj në zgjedhjet tjera, të futet me ekip të ri, e reformuar dhe e rekonstruuar dhe ta kërkojë mbështetjen e qytetarëve. Për këtë themi që ne, nuk duam t’i ndajmë qytetarët në tradhtarë dhe patriotë. Të gjithë duhet ta duam këtë shtet, sepse është e përbashkët. Këtu kemi lindur, këtu jemi arsimuar, këtu i përjetojmë të gjitha të drejtat si qytetarë në Maqedoni. Të gjithë duhet ta duam (shtetin), nuk ka tradhtarë apo patriotë. Për ne, ndarjet mund të jenë në – program kualitativ apo jokualitativ. Kjo është ajo që neve duhet të na bashkojë dhe të konvergjojë normalisht nëse kjo do të ndodhë”, shprehet kryetari i VMRO-DPMNE-së.