Evis HALILI
Shkup, 11 shkurt – Shënimi i 50 vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve (ASHAM) do të shoqërohet me surpriza, shkruan gazeta KOHA. Botimi i një sërë materialesh, studimesh, projektesh, e të tjera do të jenë në fokus të punës së këtij viti. Takimet e para kanë nisur brenda institucionit dhe për dy ditë me radhë akademikëve dhe departamenteve përkatëse iu është prezantuar forma e shënimit të 50 vjetorit dhe detyrat që duhet të realizohen. Më i rëndësishëm konsiderohet teksti i cili do të konturojë jo vetëm pozitën aktuale të Maqedonisë, por edhe modelin sesi duhet të jetë. Akademik Mitko Maxhunkov shkon më tej, duke e quajtur këtë dokument, si për t’u kuptuar më mirë – “naçërtanije”. Nocioni i përdorur prej tij, edhe pse nuk jep asnjë lloj shpjegimi, por që ndoshta lidhet me afërsinë e tij me gjuhën dhe kulturën serbe për aq vite që punoi si anëtar i Akademisë së Serbisë, asocon me projektin famëkeq serb, dhe kishte si qëllim fuqizimin e kombit serb dhe asimilimin e të tjerëve. Nga Akademia nuk japin ndonjë lloj shpjegimi, përveç deklaratave të bëra në media nga disa akademikë, ku më i zëshmi këto ditë është Maxhunkov. Ajo që deklarohet nga ky institucion është se janë në fazën e përgatitjeve për të shënuar 50 vjetorin e themelimit dhe në mesin e këtyre materialeve që do të promovohen, do të jetë edhe manifesti për të ardhmen e Maqedonisë. Ajaldin Abazi është ndër akademikët i vetëm shqiptarë që ka qenë prezent në këtë takim. Mësohet se kanë munguar Luan Starova, ndërsa Abdylmenaf Bexheti ndodhet jashtë vendit.
“Për momentin nuk ka asgjë konkrete, por të gjithë sektorët kanë marrë detyra përkatëse. Për shembull, unë jam pjesë e studimit që duhet të bëhet për zhvillimin ekonomik, energjetik të Maqedonisë. Po ashtu aty u diskutua edhe për fjalime dhe punime të tjera që duhet të bëhen, si për shembull kontributi që ka dhënë Universiteti Shën Kirili në fillesat e Akademisë, u ngrit çështja e Enciklopedisë, pse u prit me urrejtje, u diskutua çështja e etnocentrizmit të shtetit, e kështu me radhë. Ky ka qenë takimi i parë. Aty bëhen përgatitje, ndoshta mund të ketë edhe surpriza të ndryshme, por sidoqoftë, ne akademikët shqiptarë do të jemi aty. Edhe pse në këtë mbledhje isha vetëm unë”, thotë për KOHA, Abazi.
“Naçertanija”quhej projekti serbomadh i hartuar nga Ilija Grashanin në mesin e viteve 1800 e që u realizua në fillimet e shekullit të njëzetë. Projekti u vazhdua vite më vonë dhe mban firmën e Vaso Çubrilovit, dhe kishte të bënte me dëbimin e shqiptarëve. Akademia e Shkencave dhe Arteve si asnjëherë më parë kur ka qëndruar e distancuar në debatet me karakter etnik, kohët e fundit ka filluar të jetë më aktive. Edhe pse janë cilësuar si qëndrime individuale, anëtarë të saj herë pas herë kanë goditur, siç ishte rasti për manifestimet për shenjtërimin e Nënë Terezës dhe deklaratat abuzive të Taki Fitit për prejardhjen e saj. Po ashtu Maxhunkov pak ditë më parë sugjeroi zgjidhje ekstreme për të ruajtur identitetin e kombit maqedonas dhe moslejimin e dygjuhësisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.