Kur barku i pesë vjeçares Lina Medina u rrit, mjekët ishin të sigurt se ajo po vuante nga një tumor i madh. Por, pas testeve të zhvilluara, u kuptua se ajo ishte shtatë muajshe shtatzënë. Disa javë më vonë ajo lindi një djalë të shëndetshëm. Ngjarja kishte ndodhur në Peru në vitin 1938, ndërsa 80 vite më vonë, Lina vazhdon të mbetet njeriu më i ri që ka arritur të lindë një fëmijë, shkruan gazeta britanike The Sun. Në moshën pesë vjeçare, nëna e saj e vërejti barkun e saj që po rritej çdo ditë, me Linën që po ankohej për dhimbje të barkut. Në atë kohë, autoritetet dyshuan se babai i saj e kishte përdhunuar, pasi mjekët kishin konstatuar se lindja ishte tërësisht natyrale. Babai i saj ishte arrestuar dhe më pas liruar për mungesë provash, kurse identiteti i babait asnjëherë nuk u zbulua. Gerardo, fëmija që lindi nga mamaja pesë vjeçare, besoi deri në moshën 10 vjeçare se Lina ishte motra e saj. Kur i mbushi 10 vjet, atij iu tha që Lina ishte nëna e tij, dhe jo motra. Gerardo u rrit shëndetshëm, por vdiq në moshën 40 vjeçare nga një sëmundje e eshtrave, kurse nëna e tij vazhdon të jetë ende gjallë, tashmë 84 vjeçare. Shumë njerëz përgjatë historisë kanë besuar se i tërë tregimi është i sajuar, por mjekët thonë se posedojnë fotografime me rreze X që vërtetojnë se ajo ishte vërtetë shtatzënë.