Në vendin Llokve në Gorski Kotar të Kroacisë, është mbajtur manifestimi tradicional i 41-ti me radhë “Nata e bretkosave”, që paraqet garën e kërcimit në largësi, e vetmja e kësaj natyre në Kroaci.
“Nata e bretkosave” mbahet në javën e fundit të prillit, meqë siç thonë organizatorët, në këtë kohë ato janë pranë ujit dhe lehtë kapen, sepse pas sezonit të shirave, bretkosat tërhiqen në pyll ku është shumë vështirë kapja e tyre. Për pjesëmarrje në garë, kapen kryesisht bretkosa nga llojet e parrezikuara, ndërkohë që gjahu bëhet natën në mot me shi, thonë banorët të cilët shquhen për specialitetet gastronomike nga kofshët e bretkosave, mirëpo në këtë natë, bretkosat shërbejnë vetëm për eventin sportiv, dhe jo për ushqim.
Pronarët e përkohshëm të bretkosave godasin pistën ku garojnë bretkosat që bashkë më të bërtiturat e tyre synojnë t’i “motivojnë” të kërcejë sa më larg. Arena e bretkosave është një pjesë e rrumbullakët në mesin e të cilës gjendet një platformë e vogël në të cilën vendoset bretkosa, ndërsa vijat nga 10 deri në 120 centimetra tregojnë sa larg ka kërcyer bretkosa. Dragan Hlanuda nga Opatia, sivjet shënon pjesëmarrjen e tij të 15-të në këtë garë, në të cilën një herë ka dal si fitues. “Bretkosa quhet nga Opatija. Ishte dashuri në shikim të parë, prandaj dhe e zgjodha atë”, thotë Dragani. Për të, eventi paraqet një festival të mrekullueshëm, i cili i sjell njerëzit në Llokve, pasi nuk është një festival konkurrues, por vetëm për argëtim të mirë.
Organizatorët kapin aq bretkosa sa është e mjaftueshme për këtë garë të pazakontë, dhe pas përfundimit ato kthehen në ujë për t’u shumuar më tutje. Llokve sot numëron rreth 600 banorë, të cilët në vitet e 70-ta kishin filluar të merren me gjahun e bretkosave, ku banorët e vendeve përreth u kishin dhënë nofka të ndryshme. “Nga këto tallje ne bëmë një brend dhe vendosëm simbolin e bretkosës në emblemat tona. Sot jemi krenar që jemi ‘bretkosaxhinjë’ dhe ky simbol është i vendosur në secilën shtëpi tonë”, tha Gjurgja Malnar, drejtore e Bashkësisë Turistike të komunës Llokve, e cila sqaron se tani pjesëmarrës në garat e bretkosave janë njerëz nga Zagrebi, Rijeka, Zara dhe shumë qytetet tjera. Fituesit e garës shpërblehen me një fundjavë pushime në natyrën e Gorski Kotarit ose në bregdetin e Adriatikut.