Një familje, të cilës ia kanë kidnapuar qenin nga shtëpia, në fillim të këtij muaji mori një telefonatë me kërcënim se do ta varin qenin nëse nuk paguajnë 15 mijë euro. Qeni i Joy Brochertit, Finni, është kidnapuar nga shtëpia e tij në Ballybay, Irlandë, më 7 dhjetor.
Por ajo ofron shpërblim 5000 euro nëse dikush e gjen Finnin dhe e kthen. “Një njeri ka thirrur në kohën e drekës dhe kërkoi 15 mijë euro deri në fund të ditës ose përndryshe ai do ta var Finnin në pemën më të afërt”, ka thënë Joy për “Irish Mirror”. “Ai dukej shumë histerik dhe nuk munda të diskutoj me të aspak, ai kërkonte para menjëherë, dhe tani unë jam në një gjendje të tmerrshme dhe nuk e di nëse kjo ishte një kërkesë e vërtetë apo ndonjë shaka e pacipë e dikujt”, shtoi ajo.
“Kam ofruar edhe një shpërblim për Finnin deri në 5000 euro nëse e kthen ndokush për Krishtlindje”. “Kam provuar që t’ia shpjegoj këtij personi por ai vetëm kërkonte trefishin e shpërblimit që e ofrova unë dhe nuk deshi të më dëgjojë fare”, përfundoi ajo. Joy ka krijuar një faqe në Facebook, Bring Finn Home, duke bërë thirrje për informacionet që do të çojnë në kthimin e sigurt të Finnit në shtëpi.
Pas kësaj telefonate, Joy ka bërë një postim duke shpjeguar se nuk ka para të mjaftueshme për të paguar më shumë se sa është shpërblimi.