Shkup, 25 janar – Të hënën në mbrëmje në Prizren, ’zbarkuan’ dy përforcime bombë tek skuadra e Lirisë. Florent Osmani, që luan në pozitën e mesfushorit ofensivë të anës së majtë dhe të sulmuesit Burhan Aliji që luan në defensivë, po edhe në mesfushë, janë dy prurjet më të fuqishme deri tash. Tanimë ish-futbollisti i Shkupit, Florent Osmani pohon se “mesiti” i këtij transferimi, por edhe të Burhan Alijit është Bajram Lika.
Ndryshe, Osmani shprehet i lumtur me kalimin e tij te klubi i ri, por nuk harron edhe të falënderon ish-skuadrën e tij, kryetarin e klubit dhe grupin e tifozëve “Shvercerat Shkup”. “Siç e dini të hënën kam arritur marrëveshje me KF “Liria” nga Prizreni. Bashkë me mua është transferuar edhe Burhan Aliji, edhe atë falë Bajram Likës, menaxherit nga Kosova. Dua të falënderoj të gjithë futbollistët, stafin teknik, kryetarin Ejup Ademi, nënkryetarin Suat Alija dhe posaçërisht grupin e tifozëve ‘Shvercerat Shkup’, për përkrahjen që ma kanë dhënë sa kam qenë pjesë e FC Shkupi. Uroj që Shkupi të arrij objektivat e saja, pasi meriton të jetë në majat e futbollit vendor”, deklaroi për KOHA, Osmani. Ndërkohë, menaxheri Lika, për mediat kosovare ka thënë se dy prurjet e reja Osmani dhe Aliji, me përvojën që kanë, do të bëjnë diferencën te KF “Liria”. Gjithashtu nga ky klub njoftuan se me angazhimin e Osmanit dhe Alijit, është mbyllur afati kalimtar te skuadra kosovare. (B.K.)