Nevoja që fëmijët të vendosen në qëndrimin ditor është e kamotshme. Por tani ka një rritje të numrit të fëmijëve të cilët sillen nga prindërit në këtë institucion. Biseduam rreth qëndrimit ditor me drejtoreshën të çerdhes “Breshia” në Dibër Ajrie Daçi. Ajo thotë se organizimin e tërësishëm të qëndrimit ditor e organizon çerdhja edhe pse këtu janë prezent edhe fëmijët e shkollave fillore
Vjollca SADIKU
Dibër, 24 mars – Nga viti në vit ka një rritje të fëmijëve të cilët gjatë ditës për shkak se prindërit e tyre janë në punë kalojnë disa orë në institucionin – Qëndrimin ditor. Ky Qëndrim ditor organizohet nga institucioni parashkollor “Breshia” në Dibër. Qëndrimi ditor është një mundësi e mirë për akomodimin por edhe edukimin dhe shkollimin të fëmijëve që qëndrojnë në çerdhen “Breshia” por edhe për nxënësit të klasave të para, të dytë të treta dhe të katërta të shkollave fillore. Prindërit të cilët janë të angazhuar në punë pikërisht këtu e shohin edhe rrugëdaljen për t’i vendosur fëmijët disa orë në këtë Qendër deri sa përfundoj orari i punës i tyre. Aktualisht afër 70 fëmijë janë prezent në këtë Qëndrim.
Nevoja që fëmijët të vendosen në qëndrimin ditor është e kamotshme. Por tani ka një rritje të numrit të fëmijëve të cilët sillen nga prindërit në këtë institucion. Biseduam rreth qëndrimit ditor me drejtoreshën të çerdhes “Breshia” në Dibër Ajrie Daçi. Ajo thotë se organizimin e tërësishëm të qëndrimit ditor e organizon çerdhja edhe pse këtu janë prezent edhe fëmijët e shkollave fillore. Daçi për gazetën KOHA thekson se qëndrimi ditor lehtëson punën e prindërve dhe njëkohësisht këtu përveç akomodimit fëmijët pranojnë edukim dhe arsim.
“Aktualisht në qëndrim ditor janë afro 70 fëmijë të moshave të ndryshme. Aktivitetet realizohen në tre grupe edhe atë në grupin e parë janë nxënësit e klasave të para, në grupin e dytë nxënës të klasave të dyta dhe në grupin e tretë i cili është një grup i përbashkët janë nxënësit e klasave të treta dhe të katërta. Aktivitete realizohen në përputhje me programin e punës dhe programin e realizojnë të punësuar të çerdhes”, thotë drejtoresha Daçi. Ajo potencon se fëmijët gjatë qëndrimit ditor realizojnë detyrat të shkollës, mësojnë për shumë aktivitete të nevojshme për procesin arsimor por njëkohësisht mësojnë edhe lojëra të ndryshme. Normalisht, siç thotë drejtoresha Daçi, ata njëkohësisht edhe ushqehen. Ky aktivitet realizohet në objektin Kolezia të çerdhes “Breshia” në Dibër dhe kushtet për akomodimin e tyre janë të nivelit të lartë.
Në lidhje me qëndrimin ditor biseduam edhe me disa prindër të cilët i kanë fëmijët në këtë institucion. A.B. është prind i Dionit i cili është nxënës në shkollën fillore “Penestia”. Dioni është nxënës i klasës së tretë dhe për çdo ditë pas përfundimit të orëve të mësimit vazhdon aktivitetin e tij në Qëndrimin ditor. Të dy prindërit janë në punë dhe prandaj siç na thonë, janë të detyruar që fëmija e tyre pas orarit të shkollës deri në orën 16:00 të qëndroj këtu deri sa ata të dalin nga puna. “Jemi shumë të kënaqur nga akomodimi dhe edukimi i fëmijës tonë në qëndrimin ditor. Faktikisht fëmijën e marrim pas përfundimit të angazhimit tonë në punë. Diturinë, edukimin, por edhe mënyrën e sjelljes që ka fëmija në qëndrimin ditorë janë në nivel të duhur prandaj mund të themi se kjo qendër është një ndihmesë e madhe për ne si prindër të cilët punojmë”, thotë ky prind. Është shumë i kënaqur edhe Dioni i cili është një nxënës i shkëlqyeshëm në shkollën fillore ku mëson. “Qëndrimi ditor na jep mundësi të vazhdojmë shoqërimin me shokët por edhe të mësojmë. Edukatoret dhe arsimtaret janë të shkëlqyera dhe mësojmë shumëçka”, thotë Dioni.
Angazhimi i dy prindërve në procesin e punës i cili fillon nga mëngjesi deri në ora 16:00, është një problem për fëmijët. Prandaj siç thonë prindërit por edhe organizatorët e qëndrimit ditorë, jep një mundësi të madhe që të tejkalohen problemet që kanë prindërit me fëmijët. Organizatorët potencojnë se ka paralajmërime të prindërve për një numër më të madh të fëmijëve të cilët do të jenë së shpejti në qëndrimin ditor. Pagesa mujore për akomodim në këtë qendër është 2 mijë denarë, thonë prindërit dhe potencojnë se është një çmim modest për gjithë atë që marrin fëmijët në këtë qëndrim. (koha.mk)